Serbia zvarrit sërish nisjen e gërmimeve në varrezën e dyshuar në Kozhle

Serbia zvarrit sërish nisjen e gërmimeve në varrezën e dyshuar në Kozhle

Aktuale September 29, 2024 - 21:11

Pavarësisht dakordimit paraprak, Serbia po e vonon procesin e nisjes së gërmimeve në një lokacion të ri, ku dyshohet se fshihen trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës. Qeveria e Kosovës thotë se Beogradi as kësaj radhe nuk e ka mbajtur fjalën, derisa shpreson që ndërkombëtarët ta shtojnë presionin ndaj shtetit serb.

Serbia vazhdon të zvarrisë gërmimin në varrezën e mundshme masive afër Novi Pazarit.

Pasi Beogradi kishte konfirmuar kërkimet, ishte paralajmëruar se në mes të shtatorit do të mësohej data e nisjes së gërmimit apo vlerësimit të lokacionit në fshatin Kozhle.

Por, kur gjendemi në javën e fundit të muajit, shteti serb nuk ka kthyer përgjigje.

“Fatkeqësisht, përveç që nuk ka ende ndonjë informatë as për lokacionin në Kozhle, në kuptim të saktësimit të lokacionit apo lokacione të tjera, fatkeqësisht nuk ka ende asnjë datë edhe për fillimin e gërmimeve, përkundër paralajmërimit dhe dakordimit që rasti në Kozhle të jetë një nga tri rastet të cilat do të trajtohen gjatë këtij viti në territorin e Serbisë”, ka deklaruar për TV Dukagjinin Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit.

Zvarritja e gërmimeve në këtë lokacion po bëhet pavarësisht se Grupet Punuese për Persona të Zhdukur të Kosovës dhe të Serbisë u dakorduan gjatë takimeve në janar dhe korrik të këtij viti.

Lokacioni nën të cilin dyshohet se fshihen trupa të shqiptarëve të zhdukur nga lufta në Kosovë, përfshin një deponi mbeturinash.

Përgatitjet për pastrimin e hapësirës dhe krijimin e një rruge hyrëse, autoritetet serbe i kanë nisur gjatë fundit të muajit gusht.

Por për palën kosovare vazhdon të mbetet çështje kyçe hapja e arkivave serbe.

“Jemi në vazhdimësi në komunikim me mekanizmat ndërkombëtarë për të shtuar, për të rritë presionin ndaj Serbisë meqë përvoja deri tani ka konfirmuar që vetëm një presion më i madh i bashkësisë ndërkombëtare do të sillte më shumë rezultate në këtë proces”, ka theksuar Gara.

Dy delegacionet, përfshirë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq si dhe organizata të familjarëve të personave të zhdukur, kanë vizituar lokacionin në Kozhle.

Bashkë me ta kanë qenë edhe përfaqësues të EULEX-it, por ky mision i BE-së refuzon të tregojë nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim për të përshpejtuar nisjen e gërmimeve.

“Kjo veprimtari është në përputhje me angazhimin e EULEX-it për të mbështetur me ndihmë ekspertësh forensikë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe institucionet e tjera relevante për të hedhur dritë mbi fatin e mbi 1,600 personave të zhdukur në lidhje me konfliktin e Kosovës. Për pyetjet tuaja specifike, ju ftojmë me mirësjellje të kontaktoni autoritetet lokale”.

Gjatë kësaj jave, Komisioni Qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur ka mbajtur edhe një takim të radhës me Kryqin e Kuq, në përpjekje për të përshpejtuar procesin.