Kurti: “Regjimi i vjetër” po financon media të caktuara për lajme të rreme

Kurti: “Regjimi i vjetër” po financon media të caktuara për lajme të rreme

Aktuale September 27, 2024 - 22:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë pjesë në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste. Nga aty, Kurti ka thënë se media të caktuara po paguhen nga "regjimi i vjetër” për të publikuar lajme të rreme e dezinformata.

"Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si socialdemokratë dhe shtete socialdemokrate duhet ta ndjekim", ka deklaruar Kurti.

Në fjalimin e tij, të shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, Kurti citohet të ketë thënë se pabarazitë shoqërore, ndryshimet klimatike dhe rreziqet e sigurisë janë tri çështjet kryesore që e preokupojnë botën sot.

Ai ka folur edhe për përkushtimin e qeverisë për fuqizim të grave dhe të rinjve.

"Vendi im është një demokraci dhe një ekonomi në rritje. Si qeveri socialdemokrate, ne jemi veçanërisht të përkushtuar në fuqizimin e grave dhe të rinjve. Ne kemi prezantuar një sërë masash dhe kemi garantuar bursa, duke sjellë kështu përmirësim të theksuar në lidhjen e tregut të punës me edukimin profesional dhe rritjen e pavarësisë financiare", ka deklaruar Kurti mes tjerash.