Grenell: Unë i them Vuçiçit se e ardhmja është me SHBA-në, jo me Rusinë dhe Kinën
Foto: Laura Hasani

Grenell: Unë i them Vuçiçit se e ardhmja është me SHBA-në, jo me Rusinë dhe Kinën

Aktuale September 27, 2024 - 22:12

Ish i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se vendi i Serbisë është me Shtetet e Bashkuara, ndërsa kritikoi Shtëpinë e Bardhë për lënien pas dore të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ai i bëri këto komente gjatë një pritjeje me temën “Serbia Beyond Future” (Serbia përtej së ardhmes), të organizuar nga Misioni serb në Kombet e Bashkuara.

Ish-zyrtari i administratës së Donald Trump tha se “ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë ekziston një miqësi e sinqertë, pavarësisht se kush është në pushtet”.

“Unë bisedoj rregullisht me presidentin (Aleksandar) Vuçiç dhe i them se duhet të shkëputet nga Rusia dhe Kina dhe të afrohet me Perëndimin dhe SHBA-në. Si amerikan, shpesh jap këshilla të tilla dhe nuk përmbahem nga promovimi i vlerave perëndimore. Mendoj se e ardhmja e Serbisë do të jetë gjithmonë me Amerikën, jo me Rusinë dhe Kinën”, tha Grenell.

I pyetur nga gazetarët për situatën aktuale në Kosovë, ish-zyrtari i cili është ende aktiv në fushatën e Donald Trump, kritikoi administratën e Presidentit Joe Biden.

“Jam shumë i zhgënjyer që e gjithë puna e mirë që Presidenti Trump bëri në rajon, u hodh tutje. Dhe nuk duhet t’ju them juve, apo miqve të mi shqiptarë, se situata është më e keqe nën administratën Biden-Harris. Nuk jam i sigurt që Kamala Harris e di se ku është Ballkani dhe kjo më trishton, sepse ajo nuk është përqendruar në atë çështje. Nuk ka dyshim se gjërat ishin më mirë nën Trump dhe për këtë duhet fajësuar Shtëpia e Bardhë”, tha ai.

Grenell i cili edhe pas largimit nga detyra qëndroi i afërt me qeverinë aktuale në Serbi, nuk iu përgjigj pyetjes së Zërit të Amerikës nëse do të mbajë sërish ndonjë post nëse Donald Trump fiton zgjedhjet e 5 nëntorit. Mediat amerikane spekuluan se Grenell mund të bëhet Sekretar i Shtetit.

“Nëse do të mund të parashikoja të ardhmen, do të luaja në lotari dhe do të isha multimilioner”, tha ai me shaka.

Zëri i Amerikës i kërkoi Grenell të komentojë hetimin që po kryen Komisioni i Financave i Senatit për kompaninë e Jared Kushner “Affinity Partners”, e cila do të ndërtojë një kompleks luksoz në vendin e ish Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, por këshilltarja për media e Presidentit të Serbisë iu afrua gazetarëve dhe u tha: “më falni, ne thamë se nuk do të ketë pyetje politike”

Operacionet e kompanisë së Kushner, Affinity… janë duke u hetuar nga Komisioni i Financave i Senatit Amerikan.

Senatori demokrat i Oregonit, Ron Wyden, i dërgoi një letër kompanisë duke kërkuar më shumë informacion në lidhje me marrëdhëniet e biznesit të kompanisë së Kushner me investitorët e huaj, duke përfshirë qeveritë e huaja që thuhet se i paguajnë kompanisë qindra miliona dollarë tarifa për “konsulentë”.

Në themel të gjithë kësaj qëndron shqetësimi i komisionit se kompania po funksionon si një skemë kompensimi e krijuar pjesërisht për të anashkaluar kërkesat federale të shpalosjes së transaksioneve dhe se mund të ketë konflikte interesi.

Rrjeti Ballkan Insight njoftoi se hetimi i deritanishëm i Komisionit të Financave të Senatit ka treguar se zyrtarët e qeverisë serbe dhe qeverisë shqiptare iu afruan në mënyrë të vazhdueshme kompanisë së Kushner me propozime për të investuar në pasuri të paluajtshme.

Grenell e ka lavdëruar shpesh projektin e dhëndrit të Trump në Beograd. New York Times shkruante se edhe Grenell kishte një rol në projekt, por ai nuk e konfirmoi këtë. Jared Kushner tha për New York Times disa muaj më parë se “Riku e inkurajoi atë të investonte në projekt dhe se ai është një avokat i madh i investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe se donte ta nxiste atë për të investuar atje, që kur themeloi fondin e tij”./voa