“E drejta për gjuhën e shenjave”, diskutohen sfidat e personave të shurdhër

“E drejta për gjuhën e shenjave”, diskutohen sfidat e personave të shurdhër

Aktuale September 27, 2024 - 20:58

Zyra për Qeverisje të Mirë e Kryeministrisë dhe Shoqata Kosovare e të Shurdhërve kanë organizuar të premten konferencën për shënimin e Javës Ndërkombëtare të të Shurdhërve dhe Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, me moton “Me shenja për të drejtat e gjuhës së shenjave”. Në këtë konferencë u diskutua për sfidat me të cilat përballen personat e shurdhër dhe të verbër.

Me moton “Me shenja për të drejtat e gjuhës së shenjave” Zyra për Qeverisje të Mirë në Kryeministri dhe Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, mbajtën konferencë për shënimin e Javës Ndërkombëtare të të Shurdhërve dhe Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave.

“Sot ne jemi këtu për të shënuar këtë ditë ndërkombëtare dhe për të diskutuar për progresin, sfidat dhe vështirësitë që kemi në fushën e të drejtave për personat me aftësi të kufizuar, ne veçanti për peronat e shurdhër. Natyrisht për të ju informuar me procesin e ri që e kemi marr si qeveri, për të zhvilluar concept-dokumentin që ka të bëjë me lehtësimin apo ofrimin e gjuhës së shenjave në përgjegjësi për personat e shurdhër për të diskutuar për progresin e sfidat që kemi në edukim, shëndetësi e mirëqenie sociale” tha Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë nga Zyra e Kryeministrit .

“Qëllimi i qeverisë është që të siguroj mundësi të barabartë për të gjithë, qasje për të gjithë. Duhet të punohet edhe më shumë, të bëhen reformat në shkolla, duke filluar me personelin. Jemi në proces të përfundimit të strategjisë për personat me aftësi të kufizuar… Zotohemi në përmbushjen e të gjitha obligimeve që kemi. Në çdo institucion do të ofrojmë shërbime për personat me aftësi të kufizuar. Vetëm bashkë mund ti zgjidhim problemet tona”,deklaroi  Emilija Rexhepi- zëvendëskryeministre.

Besnik Parduzi, kryetar i Shoqatës Kosovare të Shurdhërve, ka thënë se shpreson që koncept-dokumenti për këta persona i hartuar nga qeveria të kalojë deri ne dhjetor të këtij viti.

“Sot mblidhem që të reflektojmë se cilat janë sfidat që përballemi. Koncept dokumentin është dorëzuar një draft dhe shpresojmë që deri në fund të dhjetori kjo të aprovohet dhe të kemi hapa të tjerë për komunitetin e shurdhërve. Shpresoj që kjo të arrihet deri në dhjetor, që koncept-dokumenti të kaloj”, tha Parduzi.

Pjesëmarrës në këtë konferencë theksuan se presin nga qeveria që t'i përmbushe premtimet e tyre, siç është gjithëpërfshirja e gjuhës së shenjave. /rtk