Kërkohet hetimi i tenderit për sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë
Organizata INPO ka reaguar rreth tenderit për ndërtimin e sheshit "Xhorxh Bush", ku sipas saj janë identifikuar shkelje. Sipas kësaj organizate, pas analizimit të dokumentacionit të tenderit, janë evidentuar një numër shkeljesh materiale dhe procedurale ligjore, rregullave të prokurimit dhe normave të tjera për menaxhimin e parasë publike.
Nga Vetëvendosje, e cila është opozitë në kryeqytet, po kërkojnë hetim të tenderit. Kryetari Rama thotë se çdo gjë ka shkuar sipas ligjit.
Muajin e kaluar, ishte shpallur tenderi për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Nga komunarët ishte thënë se vlera e përgjithshme e këtij projekti do të jetë rreth 18 milionë euro, derisa afati për realizimin e projektit do të jetë rreth 12 muaj pas nënshkrimit të kontratës. Mirëpo, për këtë tender, organizata që monitoron komunat, INPO, ka bërë një reagim publik, në të cilin ka kërkuar rishikim dhe hetim të tenderit, sipas tyre, për shkelje të rënda ligjore.
Sipas INPO-s, Komuna ka iniciuar projektin, pa i siguruar mjetet e nevojshme financiare.
“INPO vëren se nënshkrimi i DNPDF-së nga Drejtorja e Financave, është joligjor për faktin se e njëjta nuk ka të drejtë të ushtrojë funksionin e Zyrtarit Kryesor Financiar. Autorizimi i saj në këtë proces paraqet konflikt interesi dhe bie në kundërshtim me nenin 12, paragrafët 1 dhe 3 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive”, thonë në INPO.
Nga partia opozitare në këtë komunë, Vetëvendosje, kërkojnë hetim të tenderit.
Në një përgjigje për RTK-në, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se çdo gjë ka shkuar sipas ligjit.
“Sheshi Xhorxh Bush, ka shkuar në procedurat ligjore në aspektin e prokurimit publik. Kemi edhe institucionet të cilat i kontrollojnë këto procese siç janë KRPP. Pra çdo gjë ka shkuar sipas ligjit dhe nuk ka asgjë jashtë saj”, tha kryetari Përparim Rama.
Në një sqarim të fundit nga komuna, sa i përket procedurës së prokurimit, thuhet se pezullimi i aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë është rezultat i ankesës së parashtruar nga një operator ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Sipas komunës, dorëzimi i kësaj ankese në OSHP nga operatori ekonomik nuk nënkupton shkelje procedurale e ligjore, e as ndalim të aktivitetit të prokurimit, por është masë automatike e paraparë me ligj, pavarësisht nëse ankesa është e bazuar apo jo.