Bulliqi i kundërpërgjigjet Hysenit: Je një mjeran politik
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i është kundërpërgjigjur akuzave të kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, i cili me rastin e vendosjes së shtatores së Presidentit historik Ibrahim Rugova në Podujevë, e quajti Bulliqin mashtrues.
Bulliqi, duke iu kundërpërgjigjur Hysenit, ka thënë se “është për të ardhur keq, por nuk është e papritur që një person si Ekrem Hyseni i cili ka humbur orientimin politik, përpiqet të më përbaltë mua në një moment kaq të rëndësishëm për qytetin tonë siç ishte përurimi i shtatores së Presidentit, Dr. Ibrahim Rugova”.
“Në këtë moment ai dhe partia e tij duhet të ndjehen të turpëruar që për 20 vjet në pushtet nuk arritën ta nderojnë asnjëherë Presidentin Rugova, por e keqpërdorën gjithmonë figurën dhe personalitetin e tij për përfitime elektorale”, ka shkruar Bulliqi, transmeton Telegrafi.
Më tej ai ka thënë se “Ekrem Hyseni si një mjeran politik që s’dinë nga të kapet nuk është në gjendje të kuptojë se respekti dhe nderimi për një figurë si Dr. Ibrahim Rugova shkon përtej interesave të ngushta personale”.
“Në përfundim, dua t’ju kujtoj të gjithëve se historia nuk shkruhet nga ata që ulërasin më shumë, por nga ata që punojnë për të mirën e përbashkët, si dhe që dinë t’i nderojnë figurat meritore në historinë e lavdishme të Kosovës”, ka shkruar Bulliqi.