Shënohet 23-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit

Shënohet 23-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit

Aktuale August 13, 2024 - 21:15

Maqedonia e Veriut ka shënuar 23-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, përmes së cilës i dha fund konfliktit etnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kryeministri Hristijan Mickovski tha se kjo marrëveshje nuk e bëri askënd të lumtur, por e solli paqen në Maqedoninë e Veriut.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me një seancë solemne shënoi sot 23-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri Hristijan Mickovski tha se kjo marrëveshje nuk e bëri askënd të lumtur, por e solli paqen në Maqedoninë e Veriut.

"Kemi probleme të përbashkëta dhe së bashku duhet t’i zgjidhim ato. Problemet etnike po keqpërdoren dhe po ndërtohen karriera në atë emër. Për parti politike të caktuara, Marrëveshja e Ohrit është më e mirë kur ata janë në pushtet, ndërsa kur janë në opozitë, menjëherë kritikojnë duke harruar se sa i shtrenjtë është çmimi i saj", deklaroi Mickovski.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje si një bazë për paqe dhe stabilitet në vend.

"1 miliardë euro do të ndahen për komunat, për decentralizimin e cila është shtyllë e marrëveshjes së Ohrit, e cila do të zgjidhë shumë probleme esenciale në komunat tona, në vendbanimet tona dhe do të jetë në funksion të ngritjes së cilësisë së jetës së qytetarit të RMV-së", theksoi Mexhiti.

Përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, me një aktivitet e shënoi edhe Fronti Evropian.

"Maqedonasit si komb mund të përparojnë vetëm duke qenë në komunikim dhe harmoni të mirë e në marrëdhënie me shqiptarët, përndryshe i gëlltitin serb, bullgarët dhe grekët", tha Ali Ahmeti kryetar i BDI-së.

Marrëveshja e Ohrit ndërpreu konfliktin disamujor midis forcave shtetërore të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në vitin 2001. Dokumentin e Ohrit e nënshkruan ish-presidenti Boris Trajkovski dhe katër liderët e atëhershëm politikë, Lubço Georgievski, Branko Cërvenkovski, Arbën Xhaferi dhe Imer Imeri, në prani të dy garantuesve ndërkombëtarë, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju. /rtk