
Nita Shala, ambasadore e Kosovës në Itali
Nga sot Nita Shala do të jetë ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, kështu ka bërë të ditur ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
Gërvalla ka prezantuar ambasadoren e re Nita Shala, duke treguar se ajo është profesoreshë e së drejtës dhe avokate me eksperiencë të gjerë profesionale në institucione ndërkombëtare.
“Ajo mban titullin doktor shkencash në drejtësi nga Graduate Institute-Geneva dhe ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, studimet master për drejtësi penale në Universitetin e Oksfordit dhe studime ekzekutive në Harvard, shkolla për qeverisje ‘Kennedy’”.
“Jemi të bindur që me ambasadoren e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë të Republikës së Kosovës, Nita Shala, marrëdhëniet tona ndërshtetërore me Italinë do të shënojnë hapa të rinj të zhvillimit dhe fuqizimit të tyre. Ambasada jonë dhe ambasadorja Shala do t’i shërbejnë me përkushtim mërgatës sonë të përqendruar në Itali”, shkroi Gërvalla.
Gërvalla po ashtu ka falënderuar ambasadoren e deritanishme Lendita Haxhitasim, për kontributin e saj të çmuar. /Zëri