Pozita nuk do zgjedhje në janar, por në shkurt
Foto: Laura Hasani

Pozita nuk do zgjedhje në janar, por në shkurt

Aktuale July 31, 2024 - 22:20

Sot presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka mbajtur takim me kryetarët e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për të diskutar datën e zgjedhjeve të ardhshme.

Derisa tri partitë opozitare, kanë deklaruar si datë të mundshme 26 janarin, duket se pozita nuk preferon një datë të tillë, pasi ata duan që zgjedhjet të mbahen në shkurt, pasi sipas tyre, janari është muaji më i ngarkuar i vitit pas festave të fundvitit, transmeton Zeri.info.

Ndonëse kryetari i LVV-së, Albin Kurti nuk ishte në këtë takim, këtë e ka bërë të ditur Mimoza Kusari – Lila, e cila sot ishte në takim te presidentja, në cilësinë e anëtares së koalicionit qeverisës.

“Sa i përket datës së zgjedhjeve të rregullta, deklarova se tradicionalisht, muaji janar, si muaji më i ngarkuar i vitit pas festave të fundvitit, nuk është i përshtatshëm. Rrjedhimisht, datat 9 ose 16 shkurt, do të mund të ishin shumë më të favorshme për mbarëvajtje të fushatës parazgjedhore dhe procesit zgjedhor”, ka shkruar Kusari-Lila.

Shkrimi i plotë:

Në cilësinë e kryetares së Alternativës, isha e ftuar sot në takimin me kryetarët e subjekteve parlamentare nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani-Sadriu, për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë. Ky diskutim ka një rëndësi të veçantë për shtetin tonë të ri, pasi është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë që legjislatura e tetë bashkë me ekzekutivin e përmbyllin një mandat të plotë qeverisës.

Gjithashtu, në cilësinë e anëtares së koalicionit qeverisës, e ritheksova gatishmërinë tonë të mëhershme për zgjedhje të parakohshme, nëse do të ketë gatishmëri dhe unitet të plotë nga opozita, gjë që nuk u dëshmua se u arrit nga ta. Ndërsa, sa i përket datës së zgjedhjeve të rregullta, deklarova se tradicionalisht, muaji janar, si muaji më i ngarkuar i vitit pas festave të fundvitit, nuk është i përshtatshëm. Rrjedhimisht, datat 9 ose 16 shkurt, do të mund të ishin shumë më të favorshme për mbarëvajtje të fushatës parazgjedhore dhe procesit zgjedhor.

Alternativa mbetet e përkushtuar në avancimin e agjendës liberale progresive dhe dinamizimin e agjendës zhvillimore të shtetit.