Flasin nga Qeveria, tregojnë pse Kurti s’mori pjesë në takimin e thirrur nga Osmani
Foto: Laura Hasani

Flasin nga Qeveria, tregojnë pse Kurti s’mori pjesë në takimin e thirrur nga Osmani

Aktuale July 31, 2024 - 15:07

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryeministër i vendit, Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja e Kosovës në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve, raporton Zeri.info.

Presidentja Osmani, pas takimit me liderët e partive politike, theksoi se nuk e di arsyen përse Kurti nuk ka marrë pjesë në këtë takim, pasi, siç theksoi, ftesa në këtë takim ishte vetëm për kryetarët dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca e ka mirëkuptuar këtë pjesë.

Në lidhje më mospjesëmarrjen e Kurtit në këtë takim, për Zeri.info ka folur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai ka bërë të ditur se arsyeja e mospjesëmarrjes së Kurtit në këtë takim është se kryeministri ka një drekë me 21 ambasadorët e akredituar në Kosovë, drekë kjo e cila ka qenë e caktuar qysh para tri javësh.

“Kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, tregoi Kryeziu për Zeri.info.

Në konferencë u pa edhe hatërmbetje mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, pasi në asnjë moment Osmani nuk ia ka përmendur emrin Kurtit, por u është referuar vetëm si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. /Zëri