Gërvalla: Jemi në kontakt me Berlinin, Romën dhe Parisin për objekte të ambasadave të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Gërvalla: Jemi në kontakt me Berlinin, Romën dhe Parisin për objekte të ambasadave të Kosovës

Aktuale July 24, 2024 - 15:57

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka treguar për punët që janë duke u bërë rreth blerjes së objekteve të reja për ambasada dhe konsullata në shtetet mike të Kosovës.

Në një konferencë për media, ajo ka theksuar se janë të hapur që të kenë oferta serioze nga përfaqësuesit e misioneve për këtë çështje.

“Pas rishikimit të të gjithë modeleve ekzistuese në vitin 2021 kemi vendosur që të rrisim numrin e objekteve të blera për ambasadat e Kosovës, në radhë të parë për të dëshmuar seriozitetin politik dhe për të treguar që prezenca jonë nuk është e përkohshme, por njëkohësisht duke kursyer edhe buxhetin e shtetit, sepse qiraja është e lartë”.

“Kemi blerë një sërë godinash në Zagreb, në Senegal, në Washington, në Londër, jemi në vazhdimësi në blerje të të tjerave, në fillim kemi blerë edhe ndërtesën e misionit tonë në Strasburg. Procesi i blerjes së objektit, pra deri tek blerja është një proces i gjatë me procedura edhe të objekteve”.

“Ndërkohë që jemi të hapur edhe për oferta të tjera nga përfaqësuesve të misioneve që hapin e parë e bëjnë duke identifikuar objekte serioze, mbetet të shihet cilat prej tyre do t’i finalizojmë gjatë këtij viti. Jemi në negociata me Berlinin, me Romën dhe Parisin, por edhe në shtete tjera”, ka thënë Gërvalla.