Gërvalla për rastin e Faton Hajrizit: Deri tani gjithçka që ka ndodhur në Serbi është në mjegull
Foto: Laura Hasani

Gërvalla për rastin e Faton Hajrizit: Deri tani gjithçka që ka ndodhur në Serbi është në mjegull

Aktuale July 24, 2024 - 15:25

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se edhe pse kanë marrë disa mostra të gishtërinjve nga autoritet në Serbi në lidhje me vrasjen e Faton Hajrizit, akoma nuk ka garanci se bëhet fjalë as për personin e vrarë, as për pretendimet e tjera.

Gërvalla gjatë konferencës për media, të mërkurën, tha se deri tani gjithçka që ka ndodhur në Serbi është e paqartë sa i përket këtij rasti dhe bashkëpunimi ndërinstitucional mes dy shteteve thuajse është i inekzistent, raporton Zeri.info.

“Ne kemi qenë shumë këmbëngulës që trupi i personit të vrarë, kushdo që të jetë ai, t’i kthehet familjes për t’u varrosur në Kosovë. Kemi pasur një mostër të shenjave të gishtërinjve të një personi që pas verifikimit në Kosovë është konstatuar të jetë qytetari Faton Hajrizi. Nuk kemi asnjë garanci që bëhet fjalë as për personin e vrarë, as për pretendimet e tjera”.

“Deri tani gjithçka që ka ndodhur në Serbi është në mjegull, nuk mund t’u themi qytetarëve tanë që kemi informacione të sakta, por nuk fshehim asnjë informacion që kemi marrë”, tha Gërvalla në konferencë për media.

Ajo tha se duhet të pritet për t’u zbuluar e vërteta, ndërsa shtoi se i kanë bërë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare për mbështetje. /Zëri