
Vlen: Organet gjyqësore të veprojnë pa ndikime politike në rastin e nipit të Ali Ahmetit
Vlen ka reaguar pas njoftimit të MPB-së se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmeti dhe disa personave të tjerë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Nga Vlen u bëjnë thirrje autoriteteve gjyqësore të veprojnë vetëm sipas ligjit, të lirohen nga ndikimet politike dhe të japin drejtësi bazuar në provat e paraqitura.
“Ligjet duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare ose politike. Kthimi i besimit në sistemin ligjor nuk guxon të shndërrohet në pika të politikës ditore. Nuk na gëzon fakti që një parti politike si BDI-ja lidhet me dyshime të rënda dhe indikacione për raste të shumta të korrupsionit politiko-familjar”.
“Këto rrethana rrënuese i hedhin njollë të gjithë shqiptarëve. Dyshimet e tilla janë një tjetër argument plus se BDI-ja duhet të reformohet sa më shpejt dhe të fillojë të veprojë si një opozitë konstruktive”.
“Është detyrimi ynë si Vlen që të mos lejojmë që kjo kryesi e BDI-së e mbërthyer në të kaluarën të përpiqet t’i bëjë shqiptarët mburojë për skandalet e tyre korruptive”, thonë nga Vlen.