Murati i kundërpërgjigjet Haradinajt: Shpenzimet për udhëtime jashtë vendit prekën shifrën 12 milionë euro gjatë Qeverisë suaj
Foto: Laura Hasani

Murati i kundërpërgjigjet Haradinajt: Shpenzimet për udhëtime jashtë vendit prekën shifrën 12 milionë euro gjatë Qeverisë suaj

Aktuale July 23, 2024 - 01:17

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i është kundërpërgjigjur kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në lidhje me shpenzimet për udhëtime jashtë vendit.

Murati përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se e vetmja herë kur shpenzimet për udhëtime jashtë vendit kanë prekur shifrën 12 milionë euro, ka qenë pikërisht në kohën kur qeverinë e udhëhiqte Haradinaj, raporton Zeri.info.

Ai po ashtu ka publkuar edhe dy grafikone të këtyre shpenzimeve që nga viti 2015.

Postimi i plotë:

Deputeti Haradinaj sonte paska thënë shumë të pavërteta, e njëra nga to ishte edhe për shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit.

Sipas Haradinajt, Qeveria Kurti i ka rritur këto shpenzime në 12 milionë euro, nga 5 milionë euro sa paskan qenë në kohën kur ka qeverisur Haradinaj.

E vërteta është se e vetmja herë kur shpenzimet për udhëtime jashtë vendit kanë prekur shifrën 12 milionë euro, ka qenë pikërisht në kohën kur qeverinë e udhëhiqte Haradinaj - në vitin 2018 (grafikoni 1).

Nëse merret vetëm shpenzimi i qeverisë qendrore (grafikoni 2), shihet se përkundër çmimeve më të larta të udhëtimit pas pandemisë, viti 2023 megjithatë mbetet më i ulët se cilido vit i qeverive paraprake (2015-2019), me përjashtim të kohës së pandemisë kur kufijtë ishin të mbyllur.

E madje edhe kjo rritje në vitin 2023 vjen kryesisht si rezultat i rritjes së trajnimeve jashtë vendit për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Vetëm për FSK, shpenzimet e udhëtimit, që në fakt janë shpenzimet për mbulimin e trajnimeve të ndryshme të ushtarakëve, për vitin 2023 ishin 1.78 milionë euro. Që len të kuptohet se pa këto trajnime, shpenzimi i qeverisë qendrore për vitin 2023 do të sillej në rreth 5.2 milionë euro.

Propaganda dhe shpifjet e tilla do të shpeshtohen, sa më poshtë që dalin në sondazhe e sa më të pashpresë që bëhen.