Gërvalla takon Stier, fokusi anëtarësimi i Kosovës në KiE

Gërvalla takon Stier, fokusi anëtarësimi i Kosovës në KiE

Aktuale June 27, 2024 - 17:05

Në kuadër të takimeve të zhvilluara në Këshillin e Evropës në Strasburg, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka takuar deputetin kroat, kryesuesin e grupit të partive popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Davor Ivo Stier.

Sipas njoftimit të MPJD-së, ministrja Gërvalla ndaj deputetit kroat ka shprehur mirënjohje për kontributin e madh të grupit të partive popullore, përkatësisht delegacionit kroat në mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

"Mbështetja e palëkundur e Stier dhe delegacionit kroat ka qenë vendimtare në arritjen e një shumicë të jashtëzakonshme prej 82%  të votave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës", citohet ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me grupet politike dhe Komitetin e Ministrave për finalizimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.