Ujdia me Danimarkën për burgjet, PDK-ja refuzon sërish ta votojë
Një marrëveshje në mes Kosovës dhe Danimarkës që ishte shndërruar në projektligj që nga qershori i vitit të kaluar po ngecë në Kuvend.
Bëhet fjalë për marrëveshjen që ka për qëllim sjelljen e rreth 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë.
Por, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ndërmend të tërhiqet prej Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës
Vetëm 4 ditë pasi Kuvendi e kundërshtoi përmes votës këtë marrëveshje, e njëjta pa asnjë ndryshim është miratuar prapë nga Qeveria.
Këtë e konfirmuan nga Ministria e Drejtësisë të cilët i thanë Dukagjinit se marrëveshja e njëjtë është rikonfirmuar nga pala kosovare dhe ajo daneze.
Por, partia opozitare deputetët e së cilës e votuan kundër marrëveshjen, nuk e kanë ndryshuar mendjen, sidomos me përmbajtjen e njëjtë të saj.
“Ajo marrëveshje nuk është sjell për tu analizuar, institucionet e sigurisë nuk kanë dërguar mendimet e tyre as në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje por as në grupet parlamentare apo Kuvend që ne me pas të qartë se me çfarë kategorie e të burgosurve bëhet fjalë”, ka deklaruar Hisen Berisha nga PDK.
Hisen Berisha tregon paqartësitë të cilat duhet t’i shmang ky projektligj.
“Kush është kategoria e këtyre të burgosurve, për çfarë natyre të veprës penale, çfarë kategorie njerëzish janë. Çka nëse janë persona të ndonjë organizate terroriste”, është shprehur Berisha.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një fotografie të publikuar në rrjete sociale ka njoftuar se ka realizuar një takim virtual me homologun e saj danez, që e ka vlerësuar ‘të frytshëm’.
Sipas marrëveshjes, Kosova do t’i jepte në shfrytëzim Danimarkës Burgun e Gjilanit, e shteti skandinav aty do të sillte të burgosur nga vende të treta.