Një ditë pas mbylljes së objekteve bankare, kjo është situata në veri të Mitrovicës [foto]
Foto: Laura Hasani

Një ditë pas mbylljes së objekteve bankare, kjo është situata në veri të Mitrovicës [foto]

Aktuale May 21, 2024 - 14:08

Gjatë së hënës autoritetet kosovare kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, i banuar me shumicë serbe.

 

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen "e rendit dhe ligjshmërisë", u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se ua gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë dhe rreth 40 dollarë australianë”.

Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image

Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Ky aksion i autoriteteve kosovare u kritikua nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ku theksuan se nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës t'i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj - duke përfshirë ato të minoritetit serb - të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”, thuhej në përgjigjen e DASH-it për REL-in.

Mirëpo, gjatë së martës ministri i Financave, Hekuran Murati, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth reagimit të DASH-it, theksoi se ky aksion është realizuar bazuar mbi ligjshmërinë, pasi siç theksoi Murati, ka qenë dyshimi i bazuar që aktivitetet financiare të tilla janë zhvilluar pa pasur licencën përkatëse financiare e që është e kundërligjshme dhe ka pasoja ligjore, raporton Zeri.info.

“Sa i përket reagimit, nuk jam në dijeni me detajet, megjithatë çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të vendit”, tha ai në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.

Aksionin policor në veri zyrtarë të lartë në Serbi e dënuan ashpër, duke e cilësuar "të paligjshëm". Nga Beogradi pati thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të ndalë veprimet nga Kosova, që sipas tyre po "kërcënojnë mbijetesën" e serbëve në Kosovë.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

DASH-i tha se Shtetet e Bashkuara theksojnë shqetësimin e tyre të qartë për zbatimin e Rregullores së BQK-së.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani.

Mirëpo një ditë pas aksionit të Policisë së Kosovës nga pamjet e realizuara nga Zeri.info shihet se pavarësisht mbishkrimit “Bankomati nuk punon”, një qytetare ia kishte mësyrë njërës prej bankave të mbyllura.

Image

Po ashtu, në urën e Ibrit janë vërejtur edhe shtim i numrit të pjesëtarëve të ushtrisë italiane të njohur si "Carabinier", ose xhandarmëria italiane.

Në pjesën veriore të Mitrovicës gjithçka duket qetë dhe qytetarët po vazhdojnë normalisht dhe pa asnjë pengesë jetesën. /Zëri

Për më shumë, ju ftojmë të shikoni fotografitë e mëposhtme:

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image