Liderët kosovarë në 75-vjetorin e NATO-s: NATO-ja fati ynë, fati i Kosovës
Foto: Laura Hasani

Liderët kosovarë në 75-vjetorin e NATO-s: NATO-ja fati ynë, fati i Kosovës

Aktuale April 04, 2024 - 14:26

Liderët e Kosovës e kanë kujtuar sot 75-vjetorin e themelimit të Aleancës Veriatlantike – NATO.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se NATO-ja është një zotim për brezat e ardhshëm se ata do të trashëgojnë një botë më të qetë dhe më të sigurt.

“NATO-ja është fati ynë. Është fati i Kosovës”, ka shkruar Osmani, transmeton Zeri.info.

Osmani ka theksuar se rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Aleancë nuk pushon, nuk lëkundet.

“Ne vazhdojmë të ecim përpara së bashku. Gjithmonë. #1NATO75vjet”, shkroi ajo në Twitter.

Po ashtu, edhe kryeministri Albin Kurti, ka thënë se NATO-ja në Kosovë zë një vend të veçantë të vlerësimit, duke përmendur ndërhyrjen e vitit 1999 që ndalin gjenocidin në Kosovë.

“Sot shënohet 75-vjetori i një aleancë e palëkundur kushtuar mbrojtjes kolektive, promovimit të paqes dhe mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë. Ajo që filloi me 12 anëtarë themelues është rritur në një aleancë prej 32, të bashkuar në qëllim dhe përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta”.

“Në Kosovë, NATO zë një vend të veçantë dhe vlerësohet pa masë dhe në përjetësi për ndërhyrjen e saj për të ndaluar gjenocidin. Ndërsa festojmë 75-vjetorin, ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të thelluar bashkëpunimin dhe përkushtimin tonë për t'iu bashkuar kësaj aleance të nderuar”, ka shkruar Kurti. /Zëri