Haliti: Beteja e Koshares i dërgoi sinjal NATO-s se lufta e Kosovës mund të zgjerohej në tërë Ballkanin
Foto: Laura Hasani

Haliti: Beteja e Koshares i dërgoi sinjal NATO-s se lufta e Kosovës mund të zgjerohej në tërë Ballkanin

Aktuale April 04, 2024 - 11:15

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seancë solemne për të nderuar të rënët në Betejën e Koshares.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, është shprehur se Beteja e Koshares njihet si beteja e gjithëshqiptarëve, sepse kishte pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga diaspora, raporton Zeri.info.

“Në ngjarje të tilla përkujtimore nuk mund të mos përmenden familje të tëra nga Tropoja, Hasi, Bajram Curri e Kukësi, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm duke pritur e përcjellë ushtarët e UÇK-së, por duke dhënë edhe trima që e përqafuan uniformën e UÇK-së për t’ia mundësuar lirinë Kosovës”, u shpreh Haliti.

Deputeti i LVV-së tha se kjo betejë shënon edhe një kthesë të madhe në aspektin ndërkombëtar, sepse ia përçoi NATO-s një sinjal të qartë se lufta e Kosovës mund të zgjerohej në tërë Ballkanin.

“Kjo betejë e dëshmoi vendosmërinë e UÇK-së dhe popullit të Kosovës se nuk ka kthim prapa dhe se liria e mëvetësia e popullit nuk kanë çmim”, u shpreh ndër të tjera Haliti. /Zëri