Kapen me plagjiaturë 42 studentë të UP-së

Aktuale shtator 26, 2015 - 08:10

Dyzetedy studentë të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” janë larguar nga lista e studentëve të përzgjedhur për të fituar bursë për studime jashtë vendit nga USAID-i, të zënë me plagjiaturë. Gazeta “Zëri” ka siguruar listën e studentëve me plagjiaturë që ka zbuluar USAID, 42 janë nga UP-ja, 5 nga UBT-ja, 2 nga AAB-ja, 1 nga AUK, 1 nga “Riinvest”, 1 nga SEEU dhe 3 të tjerë nga komuniteti pakicë.

Plagjiatura është përhapur jo vetëm te profesorët, por tash edhe në mesin e studentëve. Studentë të Universitetit të Prishtinës me numër më të madh, kanë arritur të kalojnë disa kritere dhe të radhiten në mesin e 160 studentëve që janë përzgjedhur për të fituar bursë për studime jashtë vendit.

Por, në fillim të muajit shtator, USAID përmes një komisioni ka arritur që të identifikojë studentët mashtrues dhe t’i largojë përfundimisht nga lista dhe mundësia për të fituar bursë jashtë vendit. Rektorati i UP-së nuk është deklaruar rreth këtyre studentëve dhe rastit, ndonëse gazeta ka siguruar dokumentin ku ky institucion njoftohet për falsifikimin e dijeve nga ana e studentëve.

Lidhur me këtë plagjiaturë të studentëve ka reaguar shkurt në Senat rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu. Këmbëngulja e tij për avancimin e profesorëve në bazë të Statutit të UP-së, si dhe përplasja me senatorët e mbylli edhe mbledhjen e fundit po ashtu njëanshëm nga ana e tij (rektorit), që shpalosi edhe anën tjetër që profesorët e UP-së jo vetëm që duan të avancohen vetë duke shkelur kriteret, por kanë krijuar ambient që edhe studentët të veprojnë njësoj. Për t’iu dëshmuar senatorëve se ku ka arritur gjendja në UP, rektori Zejnullahu më 10 shtator në mbledhjen e fundit të Senatit ka thënë se kanë obligim edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë të zbatojnë ligjin.

“Duke qenë në situatë të asaj që kërkohet prej nesh ndonjëherë edhe prej partnerëve me të cilët bashkëpunojmë unë po ju jap një informacion. Në përzgjedhjen e studentëve tanë për të fituar bursa, s’po e përmendi ku, për studime master që është bërë këtë vit intensivisht, nga i cili kanë fituar mbi 160 studentë, nga numri i përgjithshëm i atyre që janë zënë me plagjiaturë 42 janë studentë të Universitetit të Prishtinës dhe na është sjellë njoftimi zyrtarisht prej Ambasadës”, ka thënë Zejnullahu, pa përmendur emrin e Ambasadës që ka denoncuar në Rektorat studentët falsifikatorë, që kanë tentuar të marrin bursa mbi bazën e mosdijes.

Sipas informacioneve të gazetës, UP-ja për 42 studentët e identifikuar si plagjiatë është njoftuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, e cila edhe është sponsore e shumë bursave në vit për shkollimin e të rinjve kosovarë jashtë vendit, si dhe përkrah me projekte të ndryshme zhvillimin e cilësisë dhe ngritjen e nivelit të mësimdhënies dhe shkencës në këtë Universitet. Në dokumentin që posedon gazeta, nga 56 studentë që figurojnë të larguar nga lista, 42 janë nga UP-ja. Rektori Zejnullahu në mbledhjen e fundit të Senatit ka apeluar te stafi akademik që t’i përmbahen ligjit.

“Këto janë gjëra për të cilat nuk po duam të japim shkas për të hyrë edhe dikush në ato rrethana dhe pastaj të kemi”, ka thënë Zejnullahu, duke kërkuar nga senatorët që të votohet vetëm stafi akademik që meriton avancim. Ai ka bërë publik po ashtu edhe rastin e një profesori në Fakultetin Filozofik, që ka bërë plagjiaturë. “Kam këtu një kandidat tjetër, i cili e ka përshpejtuar situatën, ka shkuar dhe ka hyrë në plagjiaturë dhe ka marrë punimin komplet të kopjuar prej dikujt tjetër... si dhe ka marrë prej redaksisë vërtetim që i është pranuar punimi dhe në fakt kur kemi hyrë, pa e ditur gjuhën fare, numri i fjalëve dhe presjet të gjitha janë njësoj”, ka thënë Zejnullahu, duke sjellë shembuj të shkeljes së kritereve në UP dhe nga stafi akademik.