Këshilltari i Kurtit i reagon zëdhënësit të BE-së: Mos të ngatërrohet qëllimi i dialogut

Këshilltari i Kurtit i reagon zëdhënësit të BE-së: Mos të ngatërrohet qëllimi i dialogut

Aktuale February 04, 2024 - 22:08

Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se nuk duhet të ngatërrohet qëllimi i dialogut në Bruksel, duke i reaguar zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, që të dielën tha se Kosova duhet t’i shmangë veprimet e njëanshme që nxisin tensione.

Zulfaj ka shkruar në rrjetin social X se “të mos ngarrojmë as periudhën në të cilën jetojmë”, duke shtuar se institucionet e Serbisë ishin kryer spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë, gjatë vitit 1999.

“Institucionet e drejtuara nga serbët ia kishin mbathur me ushtrinë serbe në vitin 1999 pasi kryen spastrim etnik dhe gjenocid, qindra masakra dhe vranë mijëra civilë, duke përfshirë 1,133 fëmijë”, ka shkruar këshilltari i Kurtit.

Stano ka shkruar në X se BE-ja po i sheh me shqetësim të madh operacionet e Policisë në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia”.

“BE-ja i kërkon Kosovës edhe një herë t’i shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar ai.

Në një aksion të gjerë autoritetet e Kosovës ua kanë vënë drynin tri objekteve në rajonin e Dukagjinit të premten (2 shkurt), në të cilat funksionuan komunat paralele të Serbisë, për Pejë, Istog dhe Klinë.

Pasi u bastisën, nga objektet u nxorën dokumente, kompjuterë e gjësende të tjera. Gjatë aksionit pati edhe konfrontim verbal të serbëve me Policinë.