Kearns i reagon Hovenierit: Ku është balancimi, heshtja për sulmin në Banjskë mbetet ende e shurdhër
Foto: Laura Hasani

Kearns i reagon Hovenierit: Ku është balancimi, heshtja për sulmin në Banjskë mbetet ende e shurdhër

Aktuale February 04, 2024 - 10:46

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar ndaj qëndrimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.

Hovenier përmendi çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, teksa tha se këto veprime po i rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë “po i kufizojnë mundësitë që ShBA-të të shërbejnë si avokues për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.

Lidhur me këtë, në një reagim në “X”, Kearns ka pyetur ambasadorin Hovenier se ku qëndron bilanci këtu.

Ajo përmend sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, teksa thotë se heshtja për këtë sulm mbetet ende e shurdhër.

“Ku është bilanci? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA-të pas rrëmbimit të paligjshëm të tre policëve nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist të Banjskë mbetet ende e shurdhër”, ka shkruar Kearns.