Kurti tregon pse Plani i BE-së s’është “Zajednicë” e viteve 2013 dhe 2015
Foto: Laura Hasani

Kurti tregon pse Plani i BE-së s’është “Zajednicë” e viteve 2013 dhe 2015

Aktuale November 03, 2023 - 12:29

Kryeministri Albin Kurti ka nisur raportimin para deputetëve në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëveshjen e fundit në Bruksel.

Mes të tjerash, Kurti tha se drafti nuk mund të publikohet me kërkesë të emisarëve të BE-së dhe SHBA-së, ndërsa dha këndvështrimin e tij në lidhje me këtë plan, për të cilin tha se nuk është “Zajednicë” e viteve 2013 dhe 2015, kur ishte arritur edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, transmeton Zeri.info.

“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohjese që ishte çimentuar në marrëveshjet 2013 dhe 2015, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, në të cilën serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues, minues të republikës në njohje të shtetit sovran dhe integritetit territorial. Kjo qartazi nuk është ‘Zajednicë’, ashtu siç e parashihnin marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015.

E dyta; Drafti në vlerësimin tim politik e bën të qartë se mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues, pra nuk do t’i paragjykoj’ e as të ndërhyjë në kompetencat e pushtetit të komunave dhe organeve qendroreve e kështu me radhë.

E treta: Drafti e mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’u projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës ose në mosnjohje të kufijve të Kosovës dhe rrjedhimisht ata të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për një luftë të re për territor a shkëmbim territorial ose bashkim me këdo tjetër. Pra drafti e bën të qartë se vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe kufijtë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti. /Zëri