Zëvendësministri Ahmeti falënderon Estonin për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në KE

Zëvendësministri Ahmeti falënderon Estonin për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në KE

Aktuale September 07, 2023 - 16:10

Gjatë qëndrimit në Estoni, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka zhvilluar takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Parlamentin estonez.

Në takimin e parë, zëvendësministri Ahmeti, është pritur nga Nënsekretarja e Shtetit, Minna-Liina Lind.

Në komunikatën e MPJ-së, thuhet se në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e tyre.

“Po ashtu, u bisedua për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Me këtë rast, zëvendësministri Ahmeti, falënderoi Nënsekretaren Lind, për mbështetjen e Estonisë në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

Tema të tjera që u diskutuan ishin zhvillimet rajonale si dhe agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe ndikimi që ka pasur kjo tek të dyja vendet”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, në Parlamentin estonez u prit nga deputeti, Kristi Enn Vaga, njëherit anëtarë i Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian.

Në kuadër të këtij takimi u bisedua, për zhvillimet e fundit në të dyja vendet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer.

Vaga, njoftoi që brenda muajit do të krijohet Grupi i Miqësisë mes Parlamentit të Estonisë dhe atij të Kosovës. Ai theksoi se Estonia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, veçanërisht me përvojën e saj në fushën e digjitalizimit.

Ahmeti e falenderoi Vagan për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar Estonia për shtetin tonë. /Zëri