33-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut, Haradinaj nderon me medalje Ramajlin

33-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut, Haradinaj nderon me medalje Ramajlin

Aktuale September 07, 2023 - 13:09

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka nderuar me medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” ish-nënkryetarin e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajlin, me rastin e 33-vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka deklaruar se Ramajli ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare, shkruan Zeri.info.

Sipas tij, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës e aprovuan Kushtetutën e Kosovës si akti që e ndau Kosovën prej Serbisë dhe Jugosllavisë së atëhershme, e njohur si Kushtetua e Kaçanikut, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë i Haradinajt, pa ndërhyrje:

Para 33 vjet, në Kaçanik, delegatët e Kuvendit të Kosovës aprovuan Kushtetutën e Kosovës, si akti që e ndau Kosovën prej Serbisë dhe Jugosllavisë së atëhershme, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

Sot në Kaçanik, me konsideratën më të lartë, nderuam të gjithë delegatët e asaj kohe, të cilët në rrethana jo të lehta me guxim e vizion përfaqësuan aspiratën e kamotshme të popullit shqiptar për liri dhe përcaktuan bazat e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Nënkryetarit të Kuvendit të atëhershëm, z. Ilaz Ramajli, në respekt të angazhimit të tij dhe të gjithë delegatëve, kisha nderin t'i ndaj medaljen "ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET" për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.

Mirënjohës përjetë për kontributin e tyre të pamohueshëm! /Zëri