Avokati i Veselit: Raportet e dëshmitarit të HRW-së, riciklim i lajmeve serbe

Avokati i Veselit: Raportet e dëshmitarit të HRW-së, riciklim i lajmeve serbe

Aktuale September 07, 2023 - 12:56

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, e ka marrë në pyetje edhe sot dëshmitarin Fred Abrahams nga Human Rights Watch dhe edhe sot e ka sfiduar konkretisht vërtetësinë e raporteve të Human Rights Watch (HRW) për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe sot thelbi i Emmersonit ishin argumentet dhe burimet e raporteve të Human Right Watch.

Emmersoni i tha Andersonit se derisa ata kanë cituar Fondin për të Drejtën Humanitare, një organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, këta të fundit burimin për krimet e pretenduara të pjesëtareve të UÇK-së e kishin nga mediat serbe të asaj kohe.

“A do të ju befasonte të dinit se në një numër të rasteve që ju përshkruani të kenë ndodhur, duke cituar Fondin për të Drejtën Humanitare si burim tuajin, burimi i cituar nga fondi janë mediat serbe. A ju befason kjo?”, pyeti Emmersoni.

“S’mund të përgjigjem në këtë pyetje derisa të shoh shembullin”, tha Abrahamsi.

“Do të shihni referencat për Branko Staletiq në Mleqan, dhe ju e shihni qartë aty se burimi është nga mediat në Beograd. E sakte?”, vazhdoi Emmersoni me pyetje.

“E saktë”, u përgjigj Abrahamsi, për të vazhduar me pas Emmersoni duke i treguar Abrahamsit raportin e tij duke përdorur referencën e njëjtë.

“Çfarë po shohim këtu është se shkon nga mediat serbe tek Fondi për të Drejtën Humanitare dhe nga Fondi tek ju dhe nga ju prapë tek ju. A e pranon kronologjinë që është korrekte?”, pyeti Emmersoni.

“Me disa dallime. Së pari, do të doja se cila media, sepse në punën tonë dallon nga mediat shtetërore dhe tjerat private. Do të doja të dija se cilës media po i referoheshin”, u përgjigj Abrahamsu.

“Nuk e thoni në raport që citoni një media të veçantë, të ndonjë media çfarëdo. Ata e thonë këtë. Ju i citoni ata. E saktë?”, pyeti avokati.

“E saktë”, u përgjigj Abrahamsi.

Duke vënë në pikëpyetje kredibilitetin e mediave serbe në atë kohë, Ben Emmerson mori një shembull tipik të propagandës së tyre në atë kohë.

Ai e përshkroi në detaje si kishte ndodhur masakra në Abrinë e Madhe, e ndodhur më 26 shtator të vitit 1998, ku ishin vrarë 23 anëtarë të familjes Deliu.

Madje për këtë, citoi edhe të dhëna nga vetë Human Rights Watch, që kishin qenë prezent atje pas masakrës.

Në këtë pikë, Emmersoni i prezantoi rastin kur televizioni shtetëror serb në atë kohë ishte përpjekur të thoshte se masakra ishte një inskenim, duke thënë madje se fëmijët e vrarë ishin kukulla të lyera me gjak.

Më pas, Emmersoni e pyeti dëshmitarin e 22-të rreth ngjarjeve të pas qershorit 1999.

Abrahamsi konfirmoi se edhe nga vrojtimet e tyre, rastet e dhunës kishin ndodhur nga njerëz edhe civilë dhe se nuk kishin të dhëna se kjo ishte një organizim apo politikë e UÇK-së. /Zëri