“Në vend se të flitet për integrim evropian, Kosova ballafaqohet me sanksione”
Foto: Zëri / Ilustrim

“Në vend se të flitet për integrim evropian, Kosova ballafaqohet me sanksione”

Aktuale September 07, 2023 - 10:38

Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha se Kosova është po shihet si një pik e zezë në hartën e botës nga shtetet e Bashkimit Evropian (BE) dhe shtetet e tjera, për shkak të masave ndëshkuese që i janë vendosur nga BE-ja tash e sa muaj.

Sipas tij, nga këto masa të vendosura nga vendet evropiane Qeveria e Kosovës nuk është ftuar në takime nga institucionet e BE-së për të diskutuar për kapitujt e caktuar që lidhen me integrimin evropian.

Miftaraj tha se kjo situatë do të duhej që të ishte alarm për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, ku sipas tij në vend që të diskutohet për hapat integrues në BE, është duke u diskutuar për heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja.

“Pa pikë dyshimi që do të ishte alarm për qeverinë ‘Kurti’, për gjithë ministrat në qeverinë ‘Kurti’, për Lëvizjen Vetëvendosje sepse në vitin 2023, në vitin e tretë të qeverisjes ‘Kurti’ kur do të duhej sot të bënim bilancin se ku është Kosova në procesin e integrimit evropian, sot po flitet do të thotë se si t’i heqin masat ndëshkuese nga BE-ja të vendosura ndaj Kosovës”, tha ai për Ekonominë Online.

Sipas Miftarjat, vetë kryeministri Kurti ka deklaruar se nga këto masa dëmi që i është shkaktuar Kosovës është 500 milionë euro.

“I kemi fushat që kanë të bëjnë me ndihmën financiare që jep BE-ja ndaj Kosovës, vetë kryeministri Kurti ka përmendur se janë diku afërsisht do të thotë, dëmi që i është shkaktuar Kosovës është 500 milionë euro. Po pjesa besoj më e rëndësishme, ku është një regres i jashtëzakonshëm është integrimi evropian. Sot kur do të duhej të flisnim në cilën fazë është Marrëveshja për Stabilizim-Asocim, ku është aplikacioni i Kosovës për integrim në BE. Të gjitha këto kanë shënuar regres dhe kryesisht tema debati është se a do të hiqen masat ose jo”, tha ai.

Drejtori i IKD-së theksoi se nga këto masa të vendosura, Kosova është dukë u parë si një pikë e zezë nga shtetet e BE-së dhe shtetet e tjera të cilat janë duke hezituar të investojnë në shtetin i cili është nën masa ndëshkuese nga BE-ja.

“E kemi parë që kryeministri Kurti kryesisht ministrat e kësaj qeverie po ftohen në disa forume të cilat kanë karakter dytësor mund të themi, që kanë interes për integrimin e Kosovës në BE. Kemi parë që kemi shumë pak takime të ministrave të qeverisë ‘Kurti’ me institucionet e BE-së është ulur niveli i takimeve kryesisht me deputete të Kuvendit të Kosovës të cilët fatmirësisht nuk janë subjekt i sanksioneve nga BE-ja. Ne si IKD, por edhe OJQ-të e tjera mund të them që së paku në 7-8 muajt e fundit nuk kemi pranuar as një ftesë që kanë të bëjnë me takimet që kemi pasur të rregullta jo vetëm ne por edhe qeveria e Kosovës me institucionet e BE-së për kapitujt e caktuar të plotësimit të kritereve që lidhen me integrimin evropian dhe shumë fusha të tjera të cilat mund të them që Kosova sot po shihte si një pikë e zezë nga BE-ja por edhe nga shtetet e tjera të cilat në njëfarë mënyre hezitojnë të investojnë një shtet sikur se është Kosova e cila është nën masa ndëshkuese nga BE-ja”, tha ai.