Nga buron thirrja anti-shqiptare e serbëve “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”?

Nga buron thirrja anti-shqiptare e serbëve “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”?

Aktuale September 03, 2023 - 21:01

Thirrja anti-shqiptare që u bë trend nga tifozët e Crvena Zvezdës së Serbisë, mbërriti edhe tek ata të Zenitit të Rusisë.

Grupi nga Shën Petersburgu shpalosi thirrjen “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, sikur bënë edhe shumë proserbë tjerë në Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi.

Slogani u shkrua edhe në Leosaviq e Zubin Potok, në veri të Kosovës, ditë më parë, ndërsa autorët e grafitëve janë duke u kërkuar nga organet e rendit për nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit.

Thirrja që u shpeshtua në kohën e tensioneve për shkak të ngjarjeve të fundit në veri, e ka zanafillën tek një këngë e vjetër serbe, të cilën e ka përtërirë në poezi ish-mitropoliti Amfilohije, më 2011.

Në fakt, kënga është romancë që flet për një vajzë që e ruan elbin për dasmorët e saj me kuaj, raporton Klan Kosova. Ndërsa peshkopi ortodoks, e ka shndërruar këtë në poezi me motive religjioze e nacionaliste, duke e bërë atë në pritje të kalorësve ushtarakë, të cilët do të ktheheshin sërish në Kosovë.

Amfilohije e parasheh lëvizjen e ushtrisë nëpër vendet që serbët i vlerësojnë të shenjta, nga uji i Sitnicës, Gazimestani e deri në Deçan.

Në kontekstin aktual, rikthimi i “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është parë si thirrje për të nxitur një konflikt të ri, gjë që është vlerësuar si nxitje e urrejtjes ndëretnike.

Kundër këtij mesazhi, muaj më parë kishin dalë edhe një grup të rinjsh serbë, që e fshinë grafitin e bërë në qendër të Beogradit, ngjit me një park lojërash për fëmijë.