Nga sonte, ulje temperaturash dhe reshje shiu
Foto: Zëri / Ilustrim

Nga sonte, ulje temperaturash dhe reshje shiu

Aktuale September 03, 2023 - 17:28

Pas stuhive lokale që karakterizuan pjesë të vendit në fillim të javës, këto ditë është rikthyer moti kryesisht me diell dhe temperaturat e larta, të cilat po arrijnë deri në 31°C në shkallë vendi.

Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes do të depërtojë një front i ftohtë nga veriu i kontinentit, duke sjellë reshje lokale shiu e mundësi edhe për shkarkesa elektrike.

Siç shkruan Meteo Kosova, dita e hënë parashihet të mbetet nën ndikimin e masave të ftohta, e cila do të karakterizohet me vranësira shpeshta dhe reshje lokale shiu, lokalisht në formë të rrebesheve. Ka mundësi të ketë ndonjë shkarkesë elektrike. Vonë pasdite pritet ulje e mëtejshme e temperaturave, e cila do t’i ngjajë një dite tipike vjeshte.

Po ashtu, do të ketë edhe fuqizim të erës, më e fuqishme të martën, me shpejtësi deri në 70 km/h!

Nga dita e martë pritet temperaturat gradualisht të ngritën, derisa reshjet e pakta do të vazhdojnë të mbesin të pranishme në zona të caktuara, përfshirë edhe ditën e mërkurë, ndonëse edhe më të pakta.