LVV-ja nuk merr pjesë në seancën e nesërme të Asamblesë në Prishtinë
Foto: Arkiv

LVV-ja nuk merr pjesë në seancën e nesërme të Asamblesë në Prishtinë

Aktuale September 03, 2023 - 14:02

Grupi i Lëvizjes Vetëvendosjes në Prishtinë ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e radhës së Kuvendit Komunal, që është thirrur për ditën e hënë.

E kjo për shkak se e kontestojnë zgjedhjen e kryesuesit të ri dhe si të tillë, ata e vlerësojnë se kjo seancë është e panevojshme dhe tendencioze, raporton Zeri.info.

“Siç jeni në dijeni, për ne, është e kontestueshme zgjedhja e Kryesuesit të ri dhe rrjedhimisht e kontestojmë edhe ftesën për këtë seancë që vjen nga një autoritet për legjitimitetin e të cilit do të vendosin organet e drejtësisë.

Duke ditur faktin se tashmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë është inicuar një konflikt administrativ në mes të MAPL-së dhe Komunës së Prishtinës, ndër të tjera edhe për çështjen e Kryesuesit, vlerësojme se thirrja dhe organizimi i kësaj mbledhje në këtë kohë është i panevojshëm dhe tendencioz”, thuhet në komunikatë.

LVV-ja në Prishtinë vlerëson se në një situatë të tillë, të gjitha vendimet eventuale që merren në këto seanca të parregullta do të jenë objekt i trajtimit të sërishem nga Kuvendi Komunal.

“Kërkojmë nga partitë në pushtet në Komunën e Prishtinës, koalicioni LDK-PDK-NISMA-LB, të përmbahen nga çfarëdo vendimi e veprimi në këtë fazë dhe gjithashtu kërkojmë nga Gjykata Themelore në Prishtinë që sa më parë, me prioritet, ta trajtoj çështjen në fjalë.

Kthimi i ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës është emergjencë dhe domosdoshmëri”, thuhet më tej. /Zëri