Barbano: Policia Speciale u reduktua në veri, EULEX-i shtoi praninë
Foto: Laura Hasani

Barbano: Policia Speciale u reduktua në veri, EULEX-i shtoi praninë

Aktuale August 03, 2023 - 14:13

Shefi i EULEX-it, Giovani Pietro Barbano, ka thënë se EULEX-i e ka mirëpritur lajmin për reduktimin e policisë në veri të vendit.

“Misioni e mirëpriti njoftimin e Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të Kosovës për reduktimin e pranisë policore pranë objekteve komunale në veri të Kosovës për 25 për qind dhe ne presim që të ndihmojmë në uljen e mëtutjeshme të kësaj prezence edhe për 25 për qind të tjera”, ka theksuar Barbano në një intervistë për Euronews Serbia.

Barbano ka deklaruar se aktualisht ka bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të përcaktuar aspektet teknike të modaliteteve me të cilat do të kryhen këto vlerësime të sigurisë. “Por ne mund të konsiderojmë se procesi ka filluar”, thekson ai, duke shtuar se “ka janë tregues të mirë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse plani evropian nënkupton tërheqjen e plotë të forcave speciale nga veriu i Kosovës, Barbano ka thënë se prania e Policisë Speciale të Kosovës në veri është zvogëluar jashtëzakonisht dhe ky ishte hapi i parë i ndërmarrë nga autoritetet në Prishtinë.

“Sipas vlerësimit tonë, prania e Policisë Speciale të Kosovës në veri është zvogëluar jashtëzakonisht dhe ky ishte hapi i parë i ndërmarrë nga autoritetet në Prishtinë. EULEX-i ka shtuar praninë edhe në veri”, ka theksuar ai.

Barbano ka thënë se vlerësimi i tanishëm i EULEX-it është se situata është “shumë më stabile dhe paqësore”, prandaj vazhdon ta monitorojë situatën.

Sipas tij, EULEX-i është i përkushtuar për respektimin e të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve dhe i monitoron me kujdes rastet më të ndjeshme, veçanërisht në veri – por jo vetëm atje. /rtk