24 vjet nga çlirimi i Kosovës

24 vjet nga çlirimi i Kosovës

Aktuale June 12, 2023 - 08:14

Sot u bënë 24 vjet prejse Kosova u çlirua nga forcat paramilitare serbe dhe pikërisht në këtë ditë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Pra, më 12 qershor të vitit 1999 do të ishte dita që do të shënonte fundin e luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Prandaj në shënim të kësaj dite çdo vit organizohen ceremoni të shumta, kurse për këtë vit liderët e Kosovës fillimisht do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, pastaj edhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz, por janë paraparë edhe aktivitete të tjera.

Kujtojmë se deri tani kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë. /Zëri