Escobari thotë se marrëveshja për veriun më së voni nesër: SHBA-ja nuk e pret Kurtin përgjithmonë
Foto: Laura Hasani

Escobari thotë se marrëveshja për veriun më së voni nesër: SHBA-ja nuk e pret Kurtin përgjithmonë

Aktuale June 06, 2023 - 15:13

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja presin që më së largu nesër (të mërkurën) të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri. Kjo nënkupton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të pajtohet me tri pikat/kushtet që dy emisarët, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak ia kumtuan atij, në takimin e së hënës.

Ato janë qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe dhe kthimi në dialog me Serbinë.

Amerikani Escobar tha sot gjatë një takimi me gazetarë që nëse Kurti nuk i pranon këto tri kushte, atëherë i bie që ai nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në dhe se kjo, gjithnjë sipas tij, nuk mund të kalojë pa pasoja, njofton Klan Kosova.

Ai ka shtuar që vendi i tij, Unioni Evropian dhe krejt partnerët ndërkombëtarë janë bashkë dhe me një qëndrim në kërkesat për qetësim dhe normalizim të situatës dhe nëse kjo nuk ndodh, por përkeqësohen raportet, atëherë pasojat për Kosovën do të jenë afatgjata.

Teksa ka folur për pasojat, Escobar ka thënë se ato nuk janë të drejtuara ndaj popullit të Kosovës, pasi, siç ka thënë, Amerika ka marrëdhënieve të shkëlqyera me kosovarët. Për më tepër, ai ka shtuar se çfarëdo që qeveria e shtetit të tij ka me kryeministrin Albin Kurti, nuk do ta afektojë popullin.

I njëjti tha se ka politikanë që duan ta mbajnë gjallë konfliktin e Kosovës me aleatët e saj, sepse kjo sipas tij, i mban në pushtet dhe i bënë të pasur. Escobar shtoi se SHBA dhe BE-ja nuk do të rrinë duke pritur përgjithmonë asnjë individ që nuk bashkëpunon dhe se Uashingtoni gjithmonë do të jetë me popullin e Kosovës.

I dërguari amerikan për dialogun deklaroi se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të prezantohet menjëherë nga qeveria. SHBA-ja dhe BE-ja presin që kjo të ndodh shpejt, veçse, sikur potencoi Escobar, mbetet të shihet me kë.

Ai tha që nëse palët (Kosova dhe Serbia) nuk i përmbahen Marrëveshjes së Brukselit, i bie se po e refuzojnë BE-në. Po ashtu, amerikani shtoi se Aleksandar Vuciq nuk mund të ketë të drejtë vetoje se kur mbahen zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës ndërsa shtoi se kjo dritare i mbyllet nëse Kosova bashkëpunon duke e themeluar Asociacionin.