Kërcënohet nënkryetarja e Leposaviqit, ndalohet një person

Kërcënohet nënkryetarja e Leposaviqit, ndalohet një person

Aktuale June 06, 2023 - 12:48

Një person është ndaluar pasi dyshohet se e kanosi nënkryetaren e Leposaviqit.

Një person me inicialet B.D., është ndaluar të martën e gjashtë qershorit pasi i njëjti dyshohet se e ka kanosur nënkryetaren e Leposaviqit, Dragana Miletiq.

Miletiq, kishte raportuar në Polici se është kërcënuar.

Ajo kishte kërkuar mbrojtje nga Policia e Kosovës ndërsa ende nuk është hapur rast pasi që Miletiq rastin sapo e ka raportuar.

Dragana Miletiq është zgjedhur nënkryetare e Asamblesë Komunale në Leposaviq.

Kryetari i ri i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi të enjten e 25 majit ka bërë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.

Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.

Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore në ato ndërtesa në veri.

Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.