Krasniqi pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun: Asnjëherë nuk kam parë zhgënjim kaq të thellë të ndërkombëtarëve
Foto: Laura Hasani

Krasniqi pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun: Asnjëherë nuk kam parë zhgënjim kaq të thellë të ndërkombëtarëve

Aktuale June 06, 2023 - 12:45

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është deklaruar pas takimit që krerët opozitar kanë mbajtur me të Dërguarin e Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Mirosllav Lajçak.

Krasniqi ka thënë se në këtë takim nuk është folur për tema të caktuara, por që është diskutuar situata dhe zhvillimet e fundit të krijuara në veri të Kosovës, raporton Zeri.info.

Sipas Krasniqit, kjo është hera e parë që Kosova është duke i dëmtuar marrëdhëniet e saja me ndërkombëtarët dhe se një zhgënjim të tillë të ndërkombëtarëve nuk e ka parë asnjëherë.


“Sapo përfunduam një takim me zotin Escobar dhe zotin Lajçak, ku diskutuam për zhvillimet e fundit, ku dëgjuam qëndrimet e tyre që tashmë janë të njohura, ku tashmë përsëritëm edhe qëndrimin tonë si Parti Demokratike e Kosovës. Vërtetë shqetësimet tona për situatën aktuale është i madh, ne po shohim që nuk ka një lëvizje përpara por ka një situatë e cila është duke dëmtuar..... Kosovën në kuptimin e raporteve të saj ndërkombëtare në radhë të parë me partnerët strategjik, andaj kërkuam dhe shprehëm gatishmërinë tonë që të luajmë rolin tonë shtetëror për të ruajtur relacionet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në. Nuk është diskutuar për tema të caktuara të jeni të sigurt. PDK-ja siç e dini ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë këtyre ditëve, sidomos pas të premtes ku Qeveria pa konsultim, në mënyrë të fshehur e pa koordinim ka ndërmarrë veprime të cilat e kanë sjell këtë situatë. Ne do të jemi ditor me qytetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut... besoj që për momentin ajo që është shumë e rëndësishme është moskrijimi i mundësisë për përshkallëzimin e situatës dhe rruga para nesh..... vërtetë asnjë herë më shumë nuk kam parë shqetësim të këtij niveli nga ana e ana e partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës. Vërtetë ndjenjë aspak e mirë që të dëgjosh SHBA-në dhe përfaqësuesin e BE-së duke e shprehur këtë zhgënjim kaq të thellë me Qeverinë e Kosovës e cila e ka për qëllim që t’i forcojë raportet tona dhe jo t’i dëmtoj ato”, deklaroi Krasniqi. /Zëri