Tensionet në Kosovë, baronesha Helic inicion diskutim edhe në “House of Lords”

Tensionet në Kosovë, baronesha Helic inicion diskutim edhe në “House of Lords”

Aktuale June 06, 2023 - 11:50

Në Dhomën e Lartë të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar ose në atë që njihet në gjuhën angleze si “House of Lords” do të diskutohet sot për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe për hapat që duhet ndërmerren për të përkrahur stabilitetin, demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovës dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ky diskutim është iniciuar nga baronesha Armika Helic nga partia konservatore.

“Pyetje gojore: Trazirat e fundit në veri të Kosovës dhe hapat për të mbështetur stabilitetin, demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në konfirmimin e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

“Baronesha Helic të pyesë Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se çfarë vlerësimi kanë bërë për trazirat e fundit në veri të Kosovës; dhe çfarë hapash po ndërmarrin për të mbështetur stabilitetin, demokracinë dhe të drejtat e njeriut në (1) Kosovë dhe (2) rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në agjendën zyrtare të “House of Lords”.

Image

Mbledhja e Dhomës së Lartë do të nis në orën 15:30 sipas orës lokale të Kosovës.

Dje ndërkohë në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar ka qenë deputetja Alicia Kearns ajo që ka ngritur për diskutim çështjen e sigurisë në Kosovë pas trazirave në veri të vendit.

Kearns kishte kërkuar një qëndrim të Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme lidhur me ngjarjet në Kosovë.