QUINT-i: Kosova të mos ndërmarrë masa të reja për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në veri
Foto: Laura Hasani

QUINT-i: Kosova të mos ndërmarrë masa të reja për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në veri

Aktuale May 28, 2023 - 20:22

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, kanë dënuar veprimet e fundit të Kosovës në veri.

Shtetet e QUINT-it kanë përsëritur deklaratën e tyre të 26 majit, që dënon vendimin e Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri, pavarësisht thirrjeve tona për përmbajtje”, duke theksuar se presin që Kosova të mos ndërmarrë masa të reja të ngjashme.

“Në këtë kontekst, QUINT-i dhe BE-ja presin që Qeveria e Kosovës nuk do të ndërmarrë asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat e Komunës së Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Kryetarët e zgjedhur duhet po ashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të treguar përkushtimin e tyre dhe përgjegjësinë për të përfaqësuar dhe për t’iu shërbyer të gjithë anëtarëve të komuniteteve të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Më 26 maj, grupe të serbëve lokalë kundërshtuan shkuarjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Kryetarët e rinj u shoqëruan nga Policia e Kosovës, e cila u përlesh me grupet e serbëve. Gjatë përleshjeve, forcat policore përdorën shok-bomba dhe gaz lotsjellës, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të forcave të rendit.

Të paktën pesë policë u lënduan, ndërkaq disa vetura policore u dogjën.

QUINT tha po ashtu se u bën thirrje të gjitha palëve që të jenë të kujdesshme ndaj kërcënimeve të tjera apo veprimeve që mund të kenë ndikim në një mjedis të sigurt “përfshirë edhe lirinë e lëvizjes, që mund të ndezë tensionet dhe të prodhojë konflikt.

“Ne veçanërisht jemi të shqetësuar lidhur me sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it. Çdo veprimi i ri i njëanshëm do të ketë ndikim negativ në raportet me shtetet e QUINT-it dhe BE-së”, u tha në deklaratë.

Shtetet e QUINT-it po ashtu theksuan se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është “rruga që çon drejt normalizimit” të raporteve “dhe anëtarësimit në BE”. Në deklaratë iu bë thirrje palëve që të punojnë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt, dhe aneksit të saj, por edhe marrëveshjes për themelimin e Asociacionit.

Shkuarjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri në zyrat komunale e kanë dënuar ashpër edhe Shtetet e Bashkuara, që i kanë bërë thirrje Kosovës që të heqë dorë “nga masat e dhunshme”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por ai ka thënë se çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese.

Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.