Klani “Mekaj” mundësoi ikjen e vëllezërve Gjocaj

Klani “Mekaj” mundësoi ikjen e vëllezërve Gjocaj

Aktuale shtator 01, 2015 - 08:17

Grupi i avokatëve të familjes Mekaj, të afërm të ish-kryetarit të ish-Gjykatës së Qarkut në Pejë, Salih Mekaj, e ndihmuan të pandehurin Haki Gjocaj që të lirohet nga akuzat, duke e paraqitur gjendjen e tij psikike, më të rëndë se që ishte.

Kështu, pos që i mundësuan atij lirimin nga akuzat, përmes Qendrës për Punë Sociale në Deçan, të pandehurit tjetër Florim Gjocajt, vëllait të Hakiut, iu mundësua që të ikë jashtë vendit, duke pasur ai në duart e tij një aktvendim zyrtar, se ai është kujdestari i Hakiut.

Por, nga dokumentet e siguruara nga gazeta “Zëri” shihet qartë se Haki Gjocajt me aktvendim të Islam Mustafajt, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Deçan, i është caktuar për kujdestar i vëllai i tij Florimi, edhe pse Gjykata ende nuk kishte nxjerrë ndonjë vendim përmes të cilit do t’i merrte Haki Gjocajt aftësitë zotëruese.

Qendra për Punë Sociale cakton kujdestar Gjocajt pa iu marrë zotësia nga gjykata

Kështu, Aktvendimi i drejtorit, Islam Mustafaj, është nxjerrë më 29 tetor 2013, derisa në dhjetor të këtij viti, Gjykata Themelore në Pejë – Dega në Deçan, do t’i heqë plotësisht zotësinë Haki Gjocajt.

Ishte tashmë kujdestari zyrtar i caktuar nga Qendra për Punë Sociale në Deçan, Florim Gjocaj, ai që kishte kërkuar në gjykatë heqjen e zotësisë së vëllait të tij Haki Gjocajt.

Familjarët e Bekim Krasniqit i vrarë më 31 korrik 2010, për vrasjen e të cilit akuzohen tre vëllezërit Gjocaj, në një shkresë që i kanë bërë prokurores Drita Hajdari, pas daljes në shesh të skandalit “Mekaj”, i kanë sqaruar asaj se QPS në Deçan, sikurse edhe Gjykata këto vendime i kanë marrë kundërligjshëm.

Për personat madhorë kujdestaria mund të caktohet vetëm nëse paraprakisht gjykata iu ka hequr aftësinë zotëruese.

Kjo definohet qartë në Ligjin për Familjen, që në Nenin 223 precizon se vendimin mbi heqjen e aftësisë për të vepruar ose për të kufizuar aftësinë juridike për personin e rritur e merr gjykata. Ndërkaq, në Nenin 224, thuhet se personat që me vendimin e gjykatës pjesërisht ose plotësisht u është hequr aftësia e tyre për të vepruar, vihen nën kujdestari.

Derisa, në rastin e Haki Gjocajt ka ndodhur e kundërta. Fillimisht i është vendosur kujdestaria e pastaj i është hequr aftësia zotësia për të vepruar.  

Islam Mustafaj, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Deçan, ka thënë se të gjitha dokumentet për këto raste prezantohen tek ai nga menaxheri i rastit. Andaj, Mustafaj ka thënë se përgjegjës për caktimin e kujdestarit në këtë rast ka qenë Rifat Haxhaj, menaxher i rastit për Haki Gjocajn nga Baballoqi i Deçanit.

E Haxhaj ka thënë se nuk e ka shkelur Ligjin, pasi sipas tij, ai ka marrë kërkesë “të sinqertë” nga Florim Gjocaj që ai të ishte kujdestar i vëllait të tij.

“Dhe në këtë rast kemi pasur parasysh afërsinë familjare. Meqë rasti do të kalonte në Gjykatë ne e kemi caktuar kujdestar”, thotë Haxhaj, duke thënë se këtë punë e ka bërë paksa edhe në mirëbesim.

Zyrtari i QPS-së, Rifat Haxhaj, ka konfirmuar se nuk ka kërkuar asnjë dëshmi nga Florim Gjocaj, nëse ky i fundit ishte nën hetime. “Me ato punë do të merrej pastaj Gjykata. Nëse Gjykata nuk do t’ia hiqte zotësinë, atëherë ne do ta prishnim atë aktvendim”, thotë zyrtari i Qendrës për Punë Sociale në Deçan.

Gjykata e Deçanit i heq zotësinë Haki Gjocajt në kundërshtim me ligjin

Në anën tjetër, edhe pse Ligji për Procedurën Jokontestimore thotë se për heqjen e zotësisë personit të rritur nevojitet që gjykata të ketë ekspertizën nga tre profesionistë të lëmit të ngushtë, gjyqtarja Safete Tolaj, i ka hequr zotësinë Gjocajt duke pasur para vetes ekspertizë nga vetëm një mjek i Spitalit të Pejës, psikiatri Nysret Pepaj.

Gjyqtarja Tolaj, e kontaktuar nga “Zëri” të hënën, ka thënë se bëhet fjalë për një rast të mëhershëm dhe se asaj nuk i është kujtuar nëse ekspertiza ishte bërë nga tre mjekë apo vetëm nga një mjek. Por, ajo ka thënë se lëndën e këtij personi e kanë në gjykatë.

“Me sa e di, ka qenë një neuropsikiatër që e ka pasur në mbikëqyrje”, ka thënë Tolaj.

Ajo ka kërkuar që më detajisht për këtë çështje të japë një përgjigje të hënën në orët e pasdrekes. Mirëpo, kontakti me të, më vonë ka qenë i pamundur.

Arlinda Krasniqi, bashkëshortja e Bekim Krasniqit, i cili është vrarë në një lokal në Pejë në korrik të vitit 2010, e për të cilin janë akuzuar vëllezërit Gjocaj, thotë se këto lehtësime janë bërë nga rrjeti i avokatëve të familjes Mekaj, që kishin në krye të ish-Gjykatës së Qarkut për kryetar Sali Mekajn, përmes të cilin ushtronin ndikim.

Kështu, kunata e Salih Mekajt, Nushe Kukaj – Mekaj, e mbronte të pandehurin Haki Gjocaj, lënda e të cilit është veçuar e më vonë ai është liruar nga akuza.

Shkresat kundërthënëse të mjekëve për aftësinë e Haki Gjocajt 

Avokati Zenel Mekaj e mbrojti Florim Gjocajn, i cili tashmë ka ikur jashtë vendit, si përcjellës kujdestar i Haki Gjocajt. Edhe i biri i Salih Mekajt, Ylli, ka mbrojtur tre vëllezërit Gjocaj, Fahri Deçanin (Gjocaj) Florim Gjocajn dhe Haki Gjocajn.

Ndërkaq, Salih Mekaj u arrestua me Vlora Goranin, bashkëshorten e Fahri Deçanit (Gjocajt), i cili është njëri nga vëllezërit Gjocaj të dënuar me 15 vjet burg, e të cilit Gorani synonte t’ia ulë dënimin përmes Mekajt.

E veja e Krasniqit, Arlinda, në një shkresë që i ka bërë prokurores Drita Hajdari pas arrestimit të Salih Mekajt, ka thënë se deklarata e psikiatrit Pepaj është në kundërshtim me gjetjet e shumë ekspertëve tjerë të kësaj fushe, qoftë ekspertë nga Spitali i Pejës, ashtu edhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Gjithë këta, sipas dokumenteve që prezanton Krasniqi, kishin konstatuar se Haki Gjocaj ka ca probleme të natyrës psikike, por ai është i aftë për të marrë pjesë në gjykim.

Kështu, ajo insiston se këto dokumente u kanë shërbyer vëllezërve Gjocaj që të ikin nga Kosova dhe kjo u është mundësuar falë këtij rrjeti.

Ndërkohë, nga shkresat e Klinikës për Psikiatri dhe Neurologji në Vjenë të Austrisë, ku Haki Gjocaj ka vazhduar trajtimin, konfirmohet se ai po qëndron atje nga marsi i vitit 2014.

Por, ky spital, sipas një dokumenti të Gjykatës së Qarkut Modling në Vjenë, ka hequr nga kujdestaria Florim Gjocajn dhe Hakiut i është caktuar për kujdestar një avokat austriak.