Molliqaj pretendon se nuk është e sinqertë mbështetja e LVV-së për marshin e drejtësisë

Molliqaj pretendon se nuk është e sinqertë mbështetja e LVV-së për marshin e drejtësisë

Aktuale March 31, 2023 - 20:25

Të dielën do të zhvillohet marshi për drejtësi me qëllim solidarizimin me ish-kretët e UÇK-së në Hagë.

Këtë marsh e ka mështetur edhe Lëvizja Vetëvendosje, por që kjo nuk po i duket shumë e besueshme kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai ka thënë se kjo përkrahje erdhi pas një “kalkulimi” të mirëfilltë, pasi dje kryeministri Albin Kurti tha se s’ka dëgjuar për këtë marsh, kurse partia e tij të nesërmen tregoi qëndrim të kundërt, raporton Zeri.info.

“Marshi është lajmëruar tash sa kohë. Kryeministri parëmbrëmë, në inat e sipër, teksa arsyetonte "Zajednicën", na tha se nuk ka dëgjuar gjë për këtë marsh. Por, Partia sot i paska bërë llogaritë: Marshi për Drejtësi do të gjejë mbështetje popullore, andaj dalim edhe ne. E lexueshme, ku ka numra e masë, aty e keni VV-në oportuniste. Kjo është e kundërta e rrugës së saj. UÇK është udhëhequr nga guximi, dhe jo nga disponimi i dobët si konsensus i opinioneve”, thuhet në reagimin e tij.

Molliqaj ndër të tjera ka thënë se partia në pushtet duhet të marrë veprime konkrete për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.

“Veç kësaj, jo të gjithë i kemi mundësitë e njëjta për ta mbrojtur UÇK-në. Kush ka pushtet duhet të flasë me vepra. Nëse dikur ke premtuar zhbërjen e Speciales, tash është rasti ta tregosh konsistencën.

Ligji për Dhomat e Specializuara mund të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë. Nëse vazhdimisht thekson se dikur nuk e ka votuar, sot pa e shuar Gjykatën mund t'i korrigjosh shumë nga padrejtësitë e saj.

Kështu matet partia në pushtet. Ndryshe, vërtetohet thënia "Shko Hashim". Vërtetohet edhe ndërhyrja nga burgu për ta pamundësuar shfuqizimin e Ligjit”, shkroi ai ndër të tjera. /Zëri