Begaj: Mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në KE, shumë e rëndësishme

Begaj: Mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në KE, shumë e rëndësishme

Aktuale March 27, 2023 - 15:18

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka takuar sot presidentin e Austrisë, Van der Bellen, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e plotë që Austria i ka dhënë vazhdimisht Kosovës, si dhe për liberalizimin e vizave, por edhe për dialogun Kosovë-Serbi, që theksoi se është kaq të rëndësishëm për paqen në rajon.

Begaj në konferencën e përbashkët për media me presidentin Van der Bellen, tha se është shumë e rëndësishme mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Shumë e rëndësishme është mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. E falënderova Presidentin Van der Bellen për mbështetjen e plotë që Austria i ka dhënë vazhdimisht Kosovës, si dhe për liberalizimin e vizave, si dhe së fundmi, për dialogun Kosovë – Serbi, kaq të rëndësishëm për paqen në rajon”, tha ai.

Ai shtoi se së bashku me presidentin e Austrisë, kanë ndarë bindjen se ekzistojnë mundësi të shumta për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve.

“Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm aktiv në mbështetjen e perspektivës evropiane të Shqipërisë; veçanërisht për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, e cila përfaqëson një hap të rëndësishëm në kuadrin e avancimit të bisedimeve për integrim evropian midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, kjo vizitë është gjithashtu, një dëshmi e mëtejshme e angazhimit serioz të Austrisë në proceset integruese të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, si një vend me lidhje të shumta me këtë rajon, me vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm që rajoni ynë të jetë pjesë e familjes evropiane”, tha ai.

Ai ka falënderuar presidentin Van der Bellen për mbështetjen e Austrisë për zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ndërsa, presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen tha se mbështet atë çfarë tha presidenti Begaj, pasi bisedimet në Ohër me pjesëmarrjen e Borrellit, mund të ishin një gur themelor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Van der Bellen u shpreh se “dialogu midis këtyre vendeve sigurisht që është i vështirë, por të dy janë të ndërgjegjshëm që pa marrëveshje nga të dyja palët, të dyja vendet nuk do kenë të ardhme drejt Bashkimit Evropian”.