Krasniqi-Goodman fton qytetarët t’i bashkohen marshit më 2 prill: Kriminelët serbë të lirë, çlirimtarët po gjykohen
Foto: Laura Hasani

Krasniqi-Goodman fton qytetarët t’i bashkohen marshit më 2 prill: Kriminelët serbë të lirë, çlirimtarët po gjykohen

Aktuale March 25, 2023 - 17:54

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, Vasfije Krasniqi – Goodman, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në marshin “Liria Ka Emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

Marshi do të mbahet më 2 prill, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë e Krasniqi-Goodman ka thënë se “është tejet e rëndësishme që të gjithë, pa përjashtim, si shoqëri dhe si shtet, të bëhemi bashkë dhe të dalim në Marshin për Drejtësi”.

Tutje, ajo ka deklaruar se kriminelët serbë që dhunuan mbi 20 mijë gra kosovare janë të lirë, ndërsa ata që po gjykohen janë çlirimtarët e Kosovës.

Postimi i plotë: 

Drejtësia – kaq shumë e kërkuar nga unë dhe mbi 20 mijë gra tjera në Kosovë, viktima të dhunës seksuale, nuk erdhi asnjëherë. Kriminelët serbë, shkaktarë të këtyre dhunimeve, akoma enden të lirë nëpër Serbi.

Fatkeqësisht, sot, të vetmit të cilët po ballafaqohen me një proces gjyqësor janë çlirimtarët tanë, ish-krerët e UÇK-së.

Prandaj, është tejet e rëndësishme që të gjithë, pa përjashtim, si shoqëri dhe si shtet, të bëhemi bashkë dhe të dalim në Marshin për Drejtësi në mbështetje të çlirimtarëve tanë, të organizuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”.

Ju ftoj që me 2 prill, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, të bashkoheni e të marshoni. Me zemër jam me ju.