“Liria ka emër” organizon marsh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Foto:Laura Hasani

“Liria ka emër” organizon marsh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale March 19, 2023 - 14:57

Këtë të dielë, platforma “Liria ka emër” do të organizojë marsh për t’u solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Bëhet e ditur se marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”, raporton Zeri.info.

Ideatorët e platformës "Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

“Përkundër se populli shqiptar ka qenë viktimë e një lufte të imponuar, me vite të tëra, proceset gjyqësore të pabaza, i kanë përndjekur ndër vite ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kulmi i të cilave manifestohet me procesin e Dhomave të Specializuara, në të cilat aktualisht po mbahen ish krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë”, ka thënë Hoxha.

Më tej, ajo ka shtuar se duke qenë plotësisht koshient se drejtësia si parim, është e paanshme, e plotë dhe manifeston të vërtetën, ajo beson në drejtësi, si dhe pret një epilog të drejtë të këtij procesi gjyqësor. /Zëri