Momenti kur trupat e Kosovës mbërrijnë në Adana, priten me duartrokitje nga vullnetarët turq
Një kontigjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbërritur në Turqi, në operacionin e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti.
Fondacioni SETA në Washington ka publikuar pamje nga momenti kur ekipi i Kosovës arriti në Adana dhe u prit me duartrokitje nga vullnetarët turq.
Kosovo team headed to Adana receives applause from Turkish volunteers waiting for their own flights to the region #earthquake #deprem #Turkiye pic.twitter.com/LYocbtAO7E
— The SETA Foundation at Washington DC (@SETADC) February 7, 2023
Ndryshe, një termet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë Jugore herët të hënën. Kombet e Bashkuara thanë se ky tërmet ishte më i fuqishmi i qarkut në më shumë se 80 vjet.
Të paktën mbi 4 mijë e 900 persona kanë vdekur si pasojë e këtij tërmeti.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi të hënën mbrëma se kanë nisur kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacion humanitar në Turqi.
“Pas konsultave me Gjeneral Jasharin, kontakteve direkte gjatë tërë ditës me homologun tim turk, Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, vendimin e kryeministrit Kurti dhe autorizimit nga ana e Presidentes Osmani, nisëm kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacionin humanitar në Turqi për reagim me rastin e tërmetit të sotëm”, shkroi ai në Facebook.
Siç bëri të ditur Mehaj, task-forca përbëhet nga specialistët e FSK-së në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.
“Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtojmë kapacitetet reaguese për reagim, kërkim- shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit”, u shpreh tutje ai.