Takimi Erdogan-Kurti, çfarë u tha për dialogun dhe fushën e ekonomisë

Takimi Erdogan-Kurti, çfarë u tha për dialogun dhe fushën e ekonomisë

Aktuale February 04, 2023 - 09:55

Kryeministri Albin Kurti dje u prit nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan në Pallatin Vahdettin në Stamboll.

Me këtë rast presidenti turk dhe kryeministri kosovar folën për dialogun Kosovë-Serbi, për fushën e ekonmisë dhe vizionin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Erdogan tha se vendi i tij është i gatshëm t’i japë mbështetje procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për paqen rajonale, nëse kjo gjë kërkohet.

“Turqia është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të japë kontributin e nevojshëm nëse kërkohet nga palët”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Kurti.

“Ne shpresojmë se procesi i dialogut me Serbinë do të rezultojë në një mënyrë që siguron paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”.

Ai tha se Turqia ka vazhduar përpjekjet e përbashkëta për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin që meriton në arenën ndërkombëtare.

“Në këtë drejtim, ne mbështesim vizionin e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, Këshillin e Europës dhe BE”.

Përveç politikës, Kurti me Erdoganin folën edhe për fushën e ekonomisë, tregtisë, energjisë, industrisë së mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit, raporton eo.

Erdoëan tha se me marrëveshjen e tregtisë së lirë që hyri në fuqi në vitin 2019, të dy vendet arritën një momentum pozitiv në vëllimin e tregtisë dypalëshe.

“Si vendi me eksportet më të larta në Kosovë, ne duhet ta rrisim këtë shifër në 1 miliard euro”, tha Erdogan.

Ndërkaq, Kurti u tregua më kërkues nga Turqia në raport me këtë çështje.

Turqia është një nga partnerët tanë të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë. Natyrisht, kjo na gëzon, por kjo nuk duhet të jetë e mjaftueshme. Ne mund ta shfrytëzojmë bashkëpunimin tonë aktual për të arritur potenciale më të larta”.

Erdogan përmendi edhe temën e gylenistëve, duke i kërkuar Kurtit që të shtojë përpjekjet në këtë drejtim.

“I kërkova mikut tim të dashur që të bëjë përpjekje shtesë për të rritur solidaritetin tonë kundër aktiviteteve të Organizatës Terroriste FETO në Kosovë”.

Tutje Kurti ka falënderuar Erdoganin për kontributin e Turqisë dhe rolin e saj në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

“Kjo ndërhyrje ndaloi gjenocidin ndaj popullit të Kosovës dhe ishte e rëndësishme për themelimin e vendit dhe ruajtjen e paqes”, tha ai.