LDK-ja bojkoton RTK-në: U kap nga pushteti

LDK-ja bojkoton RTK-në: U kap nga pushteti

Aktuale February 03, 2023 - 13:17

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, duke iu referuar Rilind Gërvallës, i cili ditë më parë u emërua drejtor i televizionit, është kapje e plotë e këtij institucioni publik, i cili po shndërrohet në mjet propagande për pushtetin. LDK-ja ka reaguar rreth kësaj përzgjedhjeje dhe deri në anulimin e këtij procesi me të gjitha strukturat e saj udhëheqëse do ta bojkotojë prezencën në këtë kanal publik.

“LDK-ja po ashtu u bën thirrje të gjithë akterëve të tjerë, subjekteve politike e organizatave vendore e ndërkombëtare, si dhe figurave të pavarura që të ndjekin një hap të tillë. LDK-ja solidarizohet me gazetarët dhe të gjithë punëtorët që kanë punuar shumë dhe kanë informuar të gjithë qytetarët tanë drejt dhe në mënyrë të pavarur”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK-ja ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes së Rilind Gërvallës.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur. Prandaj, LDK-ja edhe një herë kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë dhe derisa kjo të ndodhë, LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision ose format që organizohet nga ky transmetues”, thuhet në reagimin e LDK-së. /Zëri