Escobar: Qëllimi i SHBA-së, njohja reciproke Kosovë - Serbi
Foto: Laura Hasani

Escobar: Qëllimi i SHBA-së, njohja reciproke Kosovë - Serbi

Aktuale February 03, 2023 - 11:45

Gabriel Escobar, zëvendësndihmëssekretari që mbikëqyr politikën amerikane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në Departamentin e Shtetit, vlerëson se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është qëndrim i pandryshueshëm i SHBA-së.

“Politika jonë ka qenë shumë e qartë. Ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të normalizuar marrëdhëniet. Për ne, njohja reciproke duhet të jetë qëllimi përfundimtar, i rëndësishëm. Ne mendojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin, duhet të reduktojnë barrierat për tregtinë, duhet të ndihmojnë në zgjidhjen e disa prej problemeve të pazgjidhura të mbetura nga vitet ’90 dhe të ecin përpara drejt integrimit evropian”, tha ai.

Tutje, Escobari e ka vlerësuar planin franko-gjerman si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit, duke përsëritur thirrjet për formimin e Asociacionit.

“Para së gjithash, ne mendojmë se dialogu ka një plan të mirë. Ne mendojmë se tani propozimi franko-gjerman, të cilin ne e mbështesim – unë isha atje, kur ata e dorëzuan atë – ishte një hap i rëndësishëm në normalizimin”, tha Escobari.

“Është një udhërrëfyes i mrekullueshëm, shpresojmë që të dyja palët ta pranojnë dhe të fillojnë menjëherë zbatimin e tij. Por ndërkohë, ka mjaft fusha që ekzistojnë brenda Marrëveshjes së Brukselit që mbeten të paplotësuara. Një nga më të rëndësishmet është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai për “The Pavlovic Today”.

Duke folur për deklaratat se Serbia po “angazhohet konstruktivisht” në dialog, ai tha se kjo nënkupton se Serbia janë të gatshëm të marrin në konsideratë çdo pikë të planit franko-gjerman.

“Ata janë të gatshëm të marrin në konsideratë çdo pikë të marrëveshjes. Ata janë të gatshëm të fillojnë menjëherë zbatimin dhe negocimin e anekseve, anekseve shoqëruese. Pra, kjo është vërtet konstruktive”, shpjegoi Escobari.