Stano: Qëndrimi i BE-së për Asociacionin mbetet i pandryshueshëm

Stano: Qëndrimi i BE-së për Asociacionin mbetet i pandryshueshëm

Aktuale February 03, 2023 - 11:32

Zyrtarët e Bashkimit Evropian serish ua kanë rikujtuar autoriteteve kosovare se e kanë për obligim formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, konform marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka komentuar kushtet që i nxori kryeministri Albin Kurti një ditë më parë për formimin e Asociacionit. Në këtë rrafsh ai vetëm tërhoqi vërejtjen se janë të domosdoshëm hapat konkretë, në mënyrë që të çohet para procesi i dialogut mbi normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Unë vetëm mund të ritheksoj urgjencën që BE-ja i kushton për të çuar përpara dialogun dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, ndërsa formimi i Asociacionit është një prej tyre”, ka nënvizuar Stano në një përgjigje me shkrim.

Ai ka konfirmuar se qëndrimi i Brukselit në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë mbetet i pandryshuar dhe se i njëjti është përsëritur disa herë edhe publikisht.

Peter Stano gjithashtu rikujton se Prishtina zyrtare mori përsipër si obligim ndërkombëtar për të krijuar Asociacionin, andaj edhe i takon Kosovës që ta zbatojë këtë detyrim. /rtklive