Komuna e Obiliqit e gatshme t’i lirojë qytetarët nga tatimi deri 100 euro, por ka dy kërkesa

Komuna e Obiliqit e gatshme t’i lirojë qytetarët nga tatimi deri 100 euro, por ka dy kërkesa

Aktuale February 02, 2023 - 16:28

Kuvendi i Komunës së Obiliqit në seancën e jashtëzakonshme të enjten, me 10 vota pro dhe një abstenim, ka votuar dy rekomandime për Ministrinë e Financave.

Përmes një postimi në Facebook, kryetari i komunës, Xhafer Gashi, ka njoftuar se rekomandimi i parë është se Obiliqi është i gatshëm për lirimin e qytetarëve nga tatimi në pronën e paluajtshme deri në 100 euro, ndërsa ka rekomanduar MF-në që ta plotësojë me infrastrukturë ligjore.

Rekomandimi i dytë është që ministria ta pezullojë vendimin për rivlerësimin e pronave dhe qytetarët e Komunës së Obiliqit, të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023 ashtu siç kanë paguar në vitin 2022.

“Në fjalën time, kam falënderuar të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal për vullnetin dhe angazhimin e tyre si dhe kam shprehur gatishmërinë në faljen e tatimit në pronë për qytetarët e Obiliqit si rezultat i gjendjes së rënduar ekonomike dhe inflacionin si dhe konsideroj se duke patur mundësi ligjore Ministria gjegjëse do has në mirëkuptim për rekomandimet e votuara nga Kuvendi i Obiliqit”, ka shkruar Gashi.