S’është monoetnik, Qeveria e mbikëqyr financimin, FES-i prezanton detajet e draftit të Asociacionit

S’është monoetnik, Qeveria e mbikëqyr financimin, FES-i prezanton detajet e draftit të Asociacionit

Aktuale January 30, 2023 - 16:26

Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung po e prezanton draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Europian për Paqe (EIP).

Një përfaqësues i këtij fondacioni tha se propozimi i tyre s’është për formimin e një entitet juridik monoetnik.

“Ky nuk është propozim për entitet juridik monoetnik, është entitet i cili i formon komunat dhe duke u bazuar në të drejtën kushtetuese, komunat pikë së pari janë entitete juridike të cilat janë joetnike; janë të definuara në mënyrë kushtetuese”, tha ai.

Duke evidentuar dy vërejtjet kryesore të Gjykatës Kushtetuese në aktgjykimin për marrëveshjen për Asociacionin, nga ky fondacion treguan propozimet e tyre lidhur me përmbajtjen e draftit të statutit të këtij asociacioni.

Sipas këtij propozimi, Asociacioni mund të kërkojë në baza të rregullta informata nga autoritetet e Kosovës dhe nuk do t’i përmbys kompetencat e komunave që marrin pjesë në të. Gjithashtu, propozohet të mbahen lidhjet me autoritetet qendrore.

“Ka një nen gjithëpërfshirës ku thuhet se Asociacioni nuk do të përmbysë autoritetet dhe kompetencat e komunave që marrin pjesë apo në çfarëdo mënyre t’i zëvendësojë lidhjet konsitucionale me autoritetet qendrore dhe lokale të Qeverisë së Kosovës”, tha njëri nga përfaqësuesit.

“Të gjithë kapitujt e propozimit tonë duhet të lexohen si tërësi, me kapituj që lidhen nga njëri-tjetri”, thkesoi ai.

Fondacioni Friedrich Ebert në Prishtinë ka shqyrtuar në draft edhe çështjen e financimit të këtij asociacioni nga Serbia.

“Ka nene në sistemin ligjor të Kosovës që e rregullojnë financimin nga Serbia… Pra, do të rregullohej me ligjet e Kosovës”, ka thënë njëri nga përfaqësuesit.

Për financimin, thuhet se Qeveria e Kosovës “do të ketë mundësi mbikëqyrjeje në këtë aspekt”.

Nëse kryetari i asociacionit e humb pozitën e vet si kryetar i Komunës, propozohet që ai do ta humbte edhe pozicionin e kryetarit të Asociacionit.