Rruga e dëmtuar për në Rugovë, lë pa turistë këtë zonë turistike

Rruga e dëmtuar për në Rugovë, lë pa turistë këtë zonë turistike

Aktuale January 28, 2023 - 22:31

Rajoni i Dukagjinit në këtë periudhë të vitit frekuentohet rëndom nga turistët të cilët zgjedhin Rugovën për pushime dimërore.Mirëpo, rruga nga qyteti i Pejës që dërgon deri atje vazhdon të mbetet e dëmtuar duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.

Banorët dhe përfaqësuesit e bizneseve thonë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme tek institucionet për intervenim në këtë rrugë, por nuk kanë marrë përgjigje.

Ata që duan t’i shijojnë bukuritë e Grykës së Rugovës, së pari detyrohen t’i tejkalojnë vështirësitë e rrugës.

Pjesa dërmuese e 30 kilometrave të kësaj rruge është me gropa, shembje të asfaltit te pjesët anësore dhe shembje dheu.

Përfaqësuesit e kësaj zone thonë se rruga ka filluar të dëmtohet që nga reshjet e nëntorit të vitit të kaluar, por askush nga institucionet nuk ka intervenuar.Banor i Rugovës, Agron Nikçi thotë se janë lënë pas dore kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e rrugës.

“Jemi të lënë pas dore me mos mirbajtejen e rrugës M 9, e cila i lidh 16 fshatra të Rugovës”, tha ai, raporton RTK.

Flamur Rexhbogaj – përfaqësues i fshatrave të Rugovës,  thotë se kanë dëmtuar rrugën jashtë mase.

“Reshjet e fundit e kanë dëmtuar edhe më shumë se sa ka qenë, ju kam drejtuar edhe me shkrim ministrisë”, tha ai.

Dëmtimi i rrugës ka ndikuar edhe te bizneset e kësaj zone. Sipas afaristëve të kësaj ane, këtë vit ka rënë dukshëm numri i vizitorëve.

Në anën tjetër Mustafë Nikçi, afarist ankohet se nuk ka vizitor shkak, sipas tij, rruga e prishur.“S’ka vizitor që vjen edhe nuk e prish ndonjë gomë të makinës”, tha ai.

Rruga Pejë-Rugovë është në menaxhim të Ministrisë së Infrastrukturës.

Se kur do të bëhet intervenimi në këtë rrugë, zyra për media e kësaj ministrie nuk është përgjigjur.